Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në kuadër të garës për kreun e selisë blu ka zhvilluar një takim me demokratët në zonën e Shkodrës.
Gjatë fjalës së tij, Basha tha se zgjedhjet në PD janë testi i parë pas 25 prillit për situatën brenda partisë.
“13 qershori është një datë e rëndësishme dhe jo një ditë rutinë. Ky është testi i parë pas 25 prillit për të parë sjelljen tonë, gjendjen tonë. Për të shpallur edhe një arsye më shumë dhe një kontrast të thellë mes uzurpuesve dhe ne që jemi të vetmit”, u shpreh Basha.
Më tej Basha përsëriti edhe njëherë përgjigjen e prerë jo ndaj ftesës për bashkëpunim të kryeministrit Edi Rama.
“Masakra e 25 Prillit nuk do njihet kurrë nga unë. Gjithçka na bën pjesëtarë në këtë masakër zgjedhore. Dora e bashkëpunimit është e mbushur me helm jo vetëm për mua por për Shqipërinë dhe shqiptarët. Jo-ja ime është e prerë dhe finale. Pavarësisht masakrës zgjedhore dhe qindra faktorëve të tjerë që secili prej jush i ka ndjerë, fakti është se shqiptarët nuk kanë shpresë dhe forcë tjetër për t’i nxjerrë nga qorrsokaku përveç Partisë Demokratike”, u shpreh Basha./Opinion.la