Teksa disa ditë më parë vdekja e 23-vjeçares nga Delvina, Evgjeni Baxho, tronditi opinionin publik pasi iu gjetën simbole “të çuditshme” në trup, gazetarja Anila Hoxha ka rrëfyer edhe një rast tjetër tronditës. Bëhet fjalë për një ekonomist 32-vjeçar Gerti S., i cili është gjetur i vdekur në rrethana të dyshimta.
“Gerti është i pari që ka humbur jetë në rrethana misterioze, të pa hetuara. Kanë ardhur vërdallë dhe si kanë dhënë përgjigje…”, tha Anila Hoxha në ABC news.
I riu ishte ekonomist dhe pasi nisi të frekuentonte një sekt të caktuar filloi të ndryshonte sjellje. Familjarë të tij i kanë treguar Hoxhës se ai filloi të mos konsumonte më produkte me origjinë shtazore, dhe kërkonte që në shtëpi të konsumoheshin vetëm produkte me natyrë bimore. Më tej nisën edhe konfliktet me familjarët.
“Ndryshoi sjellje, rutinë, ndryshoi edhe menynë ushqimore. Kërkonte të konsumoheshin vetëm produkte me natyre bimore, jo mishi. Pas konflikteve, u largua nga shtëpia. Nga burime mësova se po kërkonin një 32-vjecar, e ëma është ankuar dhe nuk po e gjente dot.”
Dyzetë ditë më vonë, Gerti u gjet i pajetë në një zonë të pyllëzuar. “Ishte i vetmuar, i paushqyer, i vetëflijuar, në pozicion lutjeje. Nisën hetimet. U kërkua një sekt që dyshohet se kishte bazën në zonën e ish-stacionit të trenit. Prokuroria ia kaloi si çështje komisariatit Nr.1 dhe ngjarja vazhdon të jetë ende pa asnjë autor”, tha gazetarja.
Anila Hoxha u shpreh se nga mungesa e informacionit, autoritetet mund të thonë se Gerti ndërroi jetë për shkaqe natyrore, “u vetëflijua për shkaqe të rënduara mendore.”
Sakaq, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuçën tha se kemi të bëjmë me një rast sakrifikimi. Duke folur për grupe okulte ose sekte që mund të jenë duke qarkulluar në vend, Karamuça thotë se viktimat e tyre kanë sjellje të ngjashme.
“Ka një profilizim të viktimave. Tërheqja, ndryshimi i menysë së të ngrënit. Terma të pakuptueshëm në fjalor, ku flitet me simbole të caktuara. Djali nuk është vetëflijuar, është pjesë e një sakrifikimi. Kanë tendencë t’i bëjnë në vende të hapura. Djali nuk ka qenë vetëm.”./Opinion.al