Gjatë tre muajve të verës, Qershor, Korrik dhe Gusht nuk do të ketë abone të përgjithshme për të lëvizur në linjat e transportit urban të kryeqytetit.
Heqja e tyre sipas Bashkisë së Tiranës është bërë pasi ky institucion ka planifikuar një periudhë tre mujore për kryerjen e verifikimeve dhe matjeve për riorganizimin dhe ristrukturimin e shërbimit të transportit.
Në një njoftim për mediat Bashkia e Tiranës sqaron se “aboneja e përgjithshme e transportit publik do të hiqet nga qarkullimi vetëm për një periudhë të përkohshme 3 mujore, me qëllim përshtatjen e strukturës së udhëtimit me volumet e reja të udhëtimit, si dhe vendimet që do të lidhen me itineraret e linjave dhe kushtet e shërbimit.”
Sipas Bashkisë, abonetë e përgjithshme do të hidhen sërish në shitje në muajin Shtator, ndërsa abonetë për linjat e veçanta do të jenë në shitje normalisht, edhe gjatë muajve Qershor, Korrik dhe Gusht, e në vijim./ Klan News