Rreth 5,000 spektatorë janë planifikuar të vallëzojnë sot nën tingujt e grupit francez “Indochine” dhe të rikthejnë kënaqësinë e një koncerti live, në Paris. Ky event do të mbahet me qëllimin e një studimi shkencor lidhur me mundësitë e përhapjes së Covid-19 në grupe të caktuara.
Distancat në këtë aktivitet nuk do të jenë të detyrueshme, por maskat do të mbahen. Dhe për të respektuar orën policore që mbetet në fuqi në Francë, në orën 21.00 me kohën lokale, koncerti falas do të fillojë pasdite në orën 17.00.
Një muaj para zgjedhjeve rajonale të Francës, të pranishëm në koncert do të jenë edhe Ministri i Shëndetësisë Olivier Veran, presidentja e rajonit Ile-de-France Valerie Pecres dhe Kryebashkiakja e Parisit Anne Indalgo.
Ky eksperiment, i cili tashmë ka ndodhur në vendet e tjera evropiane, ishte shtyrë disa herë në Francë.
Hulumtimi synon të tregojë se nëse spektatorët kanë një test negativ Covid-19 paraprakisht ata nuk janë më të rrezikuar të infektohen gjatë koncertit. Eksperimenti, rezultatet e para të të cilit priten në fund të qershorit, është i hapur për njerëzit e moshës 18-45 vjeç, të cilët nuk rrezikojnë të sëmuren rëndë edhe nëse infektohen.
Nga 20,000 vullnetarë, një ekip prej 7,500 personash u zgjodh pas një testi negativ të antitrupave. Midis tyre, 5,000 njerëz do të jenë në gjendje të kërcejnë nën muzikën e grupit “Indochine”, ndërsa 2,500 vullnetarë, grup “kontroll”, do të qëndrojnë në shtëpi. Të gjithë pjesëmarrësve iu kërkua të bënin një test Covid sot, pastaj edhe shtatë ditë më vonë. Numri i rasteve pozitive do të krahasohet midis dy grupeve./Opinion.al