Një ngjarje që mund të kishte pasoja fatale është regjistruar këtë të enjte në Mirditë.
Policia bën me dije se një 67-vjeçar tentoi të vriste duke e përplasur me makinë punonjësin e një kompanie që kryente punimet në aksin rrugor Rrëshen-Rubik, me pretendimin se ishte prona e tij.
Punonjësi mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia arrestoi i cili akuzohet për veprën penale të vrasjes me dashje e mbetur në tentativë.
“Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë, arrestuan në flagrancë shtetasin D.D.,67 vjeç, banues në Mirditë. Ky shtetas, me vetëgjyqësi, duke pretenduar mbi pronësinë e tokës, ku një kompani kryente punime, në aksin rrugor Rrëshen-Rubik ka tentuar të vrasë duke e përplasur me automjetin e tij punonjësin e kësaj kompanie shtetasin N .H., banues në Kukës”. Shtetasi N.H., pas mjekimit të marrë në spital është larguar në banesë. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë ” dhe ” Vetëgjyqësia“, tha policia në një njoftim për mediat./Opinion.al