Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, dhe kreu i Bashkisë Krujë, Artur Bushi, ka inspektuar ditën e sotme procesin e rindërtimit në Thumanë. Gjatë vizitës kreu i qeverisë ka deklaruar se Thumana do të jetë një model zhvillimi.
Kryeministri po ashtu u ndal edhe te zgjedhjet e 25 prillit duke komentuar rezultatin e arritur nga PS në Thumanë dhe në Laç. Ai tha se Thumana ka votuar PS ndërkohë që Laçi nuk e ka votuar shumë, por theksoi se kjo nuk ka rëndësi, rindërtimi do të vazhdojë po njësoj.
“U bë Thumana model urban. Thumana na ka votuar shumë, Laçi nuk na ka votuar shumë, por kjo nuk ka rëndësi. Të vazhdojmë t’i mbarojmë këto. Kanë votu s’kanë votu s’ka rëndësi. Rëndësi ka që të gjithë janë shqiptarë dhe të vazhdojnë të futen në shtëpi më të mira. Rindërtimi vijon njësoj“, tha Rama. Ndërkohë ministri Ahmetaj deklaroi se dhe gjatë fushatës në Thumanë nuk ka ndalur rindërtimi.
Sipas të dhënave të KQZ, në Njësinë Administrative të Laçit, PS ka marrë 3486 vota, ose 37.14 %, në krahasim me PD që ka siguruar më shumë vota, 4598, ose 48.99 % të votave. Ndërsa në Qarkun e Lezhës PD mori katër mandate deputetësh dhe PS mori tre mandate deputetësh./Opinion.al