Mjekët privatë të kritikut të Kremlinit Aleksei Navalny i kanë bërë thirrje atij që t’i japë fund krizës së urisë sa më shpejt që është e mundur.
Navalny ka refuzuar ushqimin në burg tash e tri javë.
Kardiologu Yaroslav Ashikhmin dhe katër mjekë tjerë, kanë thënë përmes një deklarate se janë duke i kërkuar Navalnyt “që menjëherë të ndalë grevën e urisë, që ta ruajë jetën dhe shëndetin”.
“Nëse greva e urisë vazhdon edhe pak më gjatë, ne thjesht nuk do të kemi kë ta trajtojmë”, kanë thënë mjekët në deklaratën e publikuar nga Mediazona, agjenci e pavarur e lajmeve në Rusi.
Më 31 mars, Navalny, 44-vjeçar ka hyrë në grevë të urisë, duke kërkuar kujdes të denjë shëndetësor për dhimbjet në shpinë dhe mpirjet e këmbëve dhe duarve.
Mjekët e tij kanë thënë se falë mbështetjes së madhe publike, Navalny është dërguar në një spital civil dhe ka pasur qasje në “diçka që duket si ekzaminim i pavarur”.
Fundjavën e kaluar, mjekët e Navalnyt kanë thënë se ai mund të vdesë “çdo minutë”.
Të mërkurën në mbrëmje, mijëra rusë kanë dalë për rrugë, pasi Perëndimi ka paralajmëruar se Kremlini do të përballet me “pasoja” në rast të vdekjes së Navalnyt.
Më shumë se 1,900 persona janë ndaluar në protestat e së mërkurën, sipas organizatës OVD-Info që vëzhgon protestat opozitare.
Në një postim në Instagram, Navalny ka thënë se ka qenë plot me “krenari dhe shpresë”./REL