Anëtarja e Komisionit Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Helga Vukaj ka reaguar në lidhje me nxjerrjen e të dhënave personale nga portalet qeveritare.
Vukaj në mbledhjen e Komisionit Rregullator tha se ndihej e kërcënuar pasi patronazhisti ka të dhënat e saj personale deri në numrin e banesës.
Më tej, ajo thotë se në vend që këta persona të kërkojnë ndjesë pubike janë marrë në mbrojtje nga kryeministri. Vukaj i kërkon ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë të marrin në mbrojtje të dhënat personale të shqiptarëve dhe të saj, pasi ndihet e kërcënuar edhe për shkak të funksionit.
“Si individ dhe më pas do marr profilin që më takon, në momentin kur dëgjoj që përndjekësi im, apo patronazhisti im që ka luajtur të dhënat e mia deri në numrin e banesës time, imagjinoni sa të rriskuar ndihemi ne të pavullnetshmit. Unë që nuk kam dhënë konsensusin askund që të më përdoret ID e të qarkullojnë poshtë e përpjetë këto të dhëna, edhe për hir të deklaratave që bëj si anëtar i KQZ –së të ndihem e riskuar kur përballë kam aureolën mbrojtëse nga lideri në pushtet ndaj patronazhistëve. Në vend që këta patronazhistë sot të ishin një ndjesë publike për veprimet që kanë bërë ndaj të dhënave personale të gjithsecilit sot këta janë marrë në mbrojtje.
Më lind automatikisht një thirrje, e vokacion i brendshëm: Ju lutem ju lutem struktura ndërkombëtare të akredituara në Shqipëri. Zonja Kim, ambasadorja e SHBA, zotërinj të tjerë, shkëlqesi që drejtoni organizatat e akredituara në Shqipëri dhe jeni kontributorë në anëtarësimin tonë në NATO – Jam shtetase e në vendi në NATO e nuk kam garanci në mbrojtjen e personale. Ju lutem merrni në mbrojtje të dhënat e çdo shqiptari, përshirë të dhënat e mija. Ndihem e kërcënuar edhe për shkak të funksionit”.