Të penduarit të drejtësisë Enver Jamaku, iu premtuan 300 mijë euro për të vrarë Domart Konjarin. Kështu ka pohuar ai vetë në dëshminë e tij të zbardhur në media, ndërsa ka thënë se vrasja u porosit nga grupi kriminal i Blendi Dedës e Paris Prengës. Sipas Jamakut, ata donin ta vrisnin Konjarin pasi dyshonin se ai kishte vrarë mikun e tyre të ngushtë, Dëfrim Kasmin.
“U takova me ta në një kafe dhe më thanë t’i vendosja lëndë eksplozive një automjeti Mercedez Benz, me targa Gjermane, që mund ta përdorte Domart Konjari. Më premtuan se nëse ai person vdiste, do të më jepnin 300 mijë euro. Do të bëhesh me shtëpi, më thanë. Me treguan se me atë makinë Konjari vinte tek lokal “Bermont” në Kinostudio, ndërsa shtëpinë e kishte te rruga ‘Siri Kodra’ në afërsi të ish frigoriferit, në një pallat në ri. Ma treguan. Ishte një person rreth 45-50 vjec i mbushur në trup dhe mbante kapele me strehë”, ka treguar Jamaku duke pohuar se e ka ndjekur rreth dy muaj Domart Konjarin, që të gjente mundësinë për të montuar dy minat.
“Minat mesa di i kishin siguruar në Shkodër. Më dhanë dhe një makinë me qëllim që të ndiqja Domartin, si dhe një telefon Enkro për të komunikuar me ta. Me informuan se makina ndodhej e parkuar te ‘Siri Kodra’. Telefonova kushëririn tim Ermondin, i cili kundrejt pagesës kishte pranuar të vinte minat tek automjeti. Ai i montoi”, shpjegon i penduari.
Enver Jamaku ka treguar se kushëriri i tij e priti personin që të hynte në makinë dhe me pult komandoi minat ne distancë, por njëra prej tyre nuk shpërtheu. Domart Konjari nuk u prek nga ky atentat, pasi në fakt në makinë kishte hyrë kunati i tij, i cili gjithashtu nuk pësoi dëmtime.
“Jam takuar më pas me personat që më porositën dhe ishin të nevrikosur. Me kanë sharë e ofenduar. Me thanë se perse nuk e kishim pritur personin të hynte ne makinë para të bënim shpërthimin dhe më kërkuan llogari se përse nuk u aktivizua mina tjetër. Debatova ashpër me ta se nuk donin të më paguanin. Me shumë vështirësi më dhanë 3 mijë euro. Njëri prej djemve një moment më hodhi në fytyrë ujin e gotës dhe duke me sharë më tha, na prishe shumë pune”, ka treguar Jamaku.
Falë dëshmisë së Enver Jamakut, në Tiranë janë zbuluar të paktën 19 baza armatimi, dhe kanë rënë në pranga të paktën 10 persona.