Gjykata e Posaçme ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për nëntë personat e arrestuar me operacionin “Kompleks”, ku u zbuluan 18 baza armatimi në Tiranë.
Bëhet me dije se GJKKO ka lënë në burg të arrestuarit Flor Abazi, Paris (Bledar) Prenga, Blendi Deda, Petrit Shera, Algert Hysa, Bujar Jaupi, Festim Mustafa, Arben Sufa dhe Klodian Kulla. Ndërsa Akil Kulla është lënë në “arrest në burg” me afat 45 ditor.
Më herët, Prokuroria e Posaçme, e përfaqësuar nga prokurorët Eneid Nakuçi dhe Behar Dibra, kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për nëntë personat e arrestuar.
Ky grup kriminal u godit pak ditë më parë, pas një operacioni ku u zbuluan e shkatërruan 18 baza që shërbenin për modifikimin, magazinimin dhe shitjen e armëve luftarake.
Gjatë aksionit, u sekuestruan arsenal armësh luftarake të llojeve të ndryshme, snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara si dhe u zbardhën tre ngjarje kriminale./Opinion.al