Gazetarja Glidona Daci ka dhënë detaje në lidhje me vdekjen e Arjan Salas, i cili humbi jetën duke shpëtuar dhjetëra të tjerë në zjarrin që përfshiu një magazinë në Tiranë pak ditë më parë.
Në emisionin “Opinion”, Daci tha se sipas referimit të bërë nga policia në Prokurori, zjarrfikëset janë njoftuar me vonesë për zjarrin në magazinë.
Po ashtu, teksa iu referohet dëshmive, gazetarja thotë se zjarri fillimisht është konstatuar në qendër të magazinës, për shkak të shpërthimit të një llambe neoni, por ajo thotë, se ky version do të verifikohet nga grupi hetimor.
Daci tha se pranë vendit ku u gjet trupi i Arjan Salës ndodhet dhe një derë që të nxjerr jashtë magazinës, por ajo ishte e kyçur, gjë e cila ka vështirësuar të riun të dal nga magazina.
“Sipas referimit që është bërë nga Policia në Prokurori thuhet që zjarrfikëset janë njoftuar me vonesë. Për shkak se materialet ishin plastike rroba që ka bërë që nxehtësia ishte e madhe çka vështirësuar punën e forcave zjarrfikëse. Një tjetër detaj që duhet theksuar, ka dyshime nga grupi hetimor, por që duhet konfirmuar në vijim të hetimeve, një pjesë e magazinës është përshtatur. Sipas dëshmisë së dy personave, ata kanë konstatuar se zjarri ka rënë në qendër të magazinës, ata thonë që ka plasur një neon, por do të jenë ekspertët e zjarrfikëses që do e përcaktojnë. Sipas grupit të hetimit, një nga DVRT është djegur, e cila do të ndihmonte dhe më tepër me pamjet filmime, gjithashtu dhe nga pamjet nga brenda. Menjëherë pasi është shuar zjarri, dalin në pamje një palë shkallë, por dera që të nxjerrte përjashta ishte e kyçur nga brenda, çka vështirësoi daljen e Arjan Salas nga magazina.”-tha gazetarja Daci./Opinion.al