Akademia Studimeve Politike publikoi sot Raportin e Monitorimit mbi përdorimin e burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore gjatë muajit shkurt.
Sipas vëzhgimit, në shkelje të Kodit Zgjedhor janë miratuar 5 ligje, 2 vendime qeverie dhe 1 vendim i këshilli bashkiak. Këto akte ligjore, theksoi raporti, sjellin përfitime apo masa lehtësuese për periudhën katër-mujore para zgjedhjeve.
Kodi Zgjedhor kërkon që 4 muaj para zgjedhjeve të kufizohen burimet dhe veprimtaritë publike të zyrtarëve të lartë qendrorë dhe vendorë, për të siguruar një barazi të tyre në garë me opozitën.
Nga monitorimi i veprimtarive publike të ministrave dhe kryetarëve të bashkive në shtatë qytete kryesore të vendit shihet një rritje e raportimeve dhe e promovimeve të investimeve infrastrukturore.
Gjatë janarit, Akademia e Studimeve Politike renditi një seri shkeljesh të Kodit Zgjedhor nga qeveria dhe parlamenti me të paktën 15 ligje dhe vendime.
Vëzhguesit ato i vlerësojnë si shkelje të Kodit Zgjedhor, sepse ndikojnë qytetarët me falje detyrimesh, taksa, tatime, rritje rrogash e pensionesh, punësime të reja në administratë dhe sjellin favorizim elektoral të partisë politike në pushtet.
Autorët thonë se krahas vendimeve të shumta qeveritare në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, janë edhe një seri veprimtarish elektorale të zyrtarëve të maxhorancës si dhe përurime objektesh publike, prej të cilave ata synojnë të përfitojnë politikisht.
Sipas tyre, KQZ duhet t’u kërkojë qeverisë dhe parlamentit të mos nxjerrin akte të tilla në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe të vazhdojë gjobitja apo ndëshkimi i zyrtarëve, që ndërmarrin veprime të tilla.
Kjo është hera e parë që Kodi Zgjedhor parashikon kufizime të tilla mbi përdorimin e burimeve shtetërore në fushata politike deri 4 muaj para zgjedhjeve.
Marrëveshja e 5 qershorit dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor synuan krijimin e kushteve të barabarta për kandidatët.
Me afrimin e fushatës, muajin e fundit hyjnë në fuqi edhe kufizime të tjera, që nga ndalimi i automjeteve dhe pajisjeve të tjera të administratës për fushatë zgjedhore të partisë dhe deri te ndalimi i likeve dhe shareve të nëpunësve për shefat e tyre gjatë orarit zyrtar.
Fushata zgjedhore ka nisur praktikisht shumë muaj përpara afatit ligjor të 25 marsit për zgjedhjet e fund-prillit.
Projekti “Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri” mbështetet nga ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe programi i përbashkët i Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian “Aksioni kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”./ VOA