15 marsi i këtij viti shënon 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Bob Hand, këshilltar i lartë pranë Komisionit Amerikan të Helsinkit dhe ekspert për Ballkanin Perëndimor, thotë se lidhjet e ngushta mes dy vendeve i kanë qëndruar provës së kohës gjatë këtyre tre dekadave. Por ai nuk i kursen kritikat dhe, në një intervistë me kolegun tonë Ilir Ikonomi, pohon se Shqipëria ende përballet me sfida të tilla si korrupsioni mes zyrtarëve, krimi i organizuar dhe mungesa e një kulture të sundimit të ligjit, të cilat vazhdojnë ta mbajnë larg potencialit të saj.
Hand, kanë kaluar 30 vjet nga rfillimi i marrëdhënieve diplomatike Amerikë-Shqipëri dhe që nga ajo kohë ju e keni vëzhguar Shqipërinë nga afër. 30 vjet janë një pikë referimi. Si i shihni marrëdhëniet sot?
Bob Hand: Më lejoni të them se, në fakt, udhëtimi im i parë në Shqipëri ka qenë shumë muaj para vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe. Unë kam punuar në Komisionin e Helsinkit prej më shumë se tre dekadash, kam qenë dëshmitar i Përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe kam luajtur rol në reagimin amerikan ndaj konflikteve në Ballkan, prandaj një nga gjërat që më bëjnë të ndihem më krenar dhe më i lumtur që e kam dëshmuar, ka qenë rivendosja e marrëdhënieve dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, fakti që Shqipëria u shndërrua nga një vend që dikur amerikanët as që mund ta vizitonin, në njërin nga vendet më miqësore ndaj amerikanëve në Evropë madje edhe në botë. Gjithashtu jam i kënaqur për faktin që kjo miqësi i ka qëndruar kohës përgjatë 30 vjetëve. Gjatë gjithë viteve 1990, 2000 e deri më sot, Shqipëria ka vazhduar të jetë një partner shumë i fortë i Shteteve të Bashkuara në shumë aspekte. Dhe sigurisht, që nga viti 2009, ajo ka qenë gjithashtu një aleate e NATO-s. Prandaj, unë e shoh këtë si një histori suksesi, jo vetëm për vendin tim, Shtetet e Bashkuara, por edhe për vetë Shqipërinë.
Por, nga ana tjetër, a mendoni se Shqipëria i ka përmbushur shpresat e Shteteve të Bashkuara, kur ato vendosën ta mbështesnin atë, duke filluar me vizitën e Sekretarit Baker në qershor 1991? Jua bëj këtë pyetje sepse, megjithëse Shqipëria është anëtare e NATO-s, siç e përmendët edhe ju, ajo është ende ndër vendet më të varfra të Evropës, me shumë probleme të tjera, një vend ku të rinjtë po largohen…
Bob Hand: Çdokush që i ka parë intervistat e mia me Zërin e Amerikës gjatë dekadave, e di që përgjigjja ime do të ishte: jo, Shqipëria nuk i ka përmbushur plotësisht pritshmëritë, të paktën pritshmëritë e mia, apo ato të Shteteve të Bashkuara, por më e rëndësishmja ajo që populli shqiptar meriton. Mendoj se sot kryesisht shohim sfida të tilla si korrupsioni mes zyrtarëve, krimi i organizuar, mungesa e kulturës së sundimit të ligjit, të cilat vazhdojnë ta mbajnë Shqipërinë larg potencialit të saj, pasi ajo mund të kishte qenë shumë më efektive në Evropë, si aleate e Shteteve të Bashkuara dhe në shërbim të nevojave të popullit të saj. Unë historikisht jam një mik i Shqipërisë, por edhe një kritik dhe më duhet të vazhdoj ta nxis Shqipërinë të përpiqet të ecë përpara për të bërë një punë më të mirë, veçanërisht në trajtimin e sfidave që sapo përmenda.
Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë bërë presion ndaj elitave politike shqiptare që të sillen në mënyrë demokratike. Sa i efektshëm ka qenë ky presion? Në të vërtetë njerëzit presin që SHBA të jenë më këmbëngulëse, sidomos kur bëhet fjalë për politikanët.
Bob Hand: Mendoj se në përgjithësi, nëse e vendosim në kontekstin e duhur, duhet pranuar se Shtetet e Bashkuara e kanë shtyrë fuqishëm Shqipërinë për të bërë reforma. Sigurisht që ka edhe çështje të tjera në marrëdhëniet dypalëshe dhe një prirje të natyrshme nga çdo qeveri, përfshirë qeverinë e SHBA për të mbështetur më tepër stabilitetin se sa elemente të tjera, që ndonëse kanë të bëjnë me ndryshime pozitive, sjellin një farë paqëndrueshmërie në periudhën afatshkurtër. Prandaj uroj që Shtetet e Bashkuara të mund të bëjnë më shumë në këtë aspekt. Në fillim, kur Shqipëria sapo kishte dalë nga izolimi komunist, ajo kishte nevojë për të kuptuar dhe mësuar praktikat demokratike. Sot, pas 30 vjetësh, ajo e di se ç’janë këto praktika, ajo e di se çfarë është sundimi i ligjit. Kjo është thjesht një çështje e lidershipit politik, pra a e kanë ata vullnetin për të zbatuar atë që është e nevojshme për Shqipërinë? Dhe meqenëse kjo nuk është më shumë një çështje e të mësuarit se sa e vullnetit politik, unë do të doja që ne të ishim më të sinqertë, për shembull me zgjedhjet që po afrojnë. Jo duke thënë se pati përmirësime, por duke qenë kritikë nëse nuk janë bërë përmirësimet që ne kemi pritur.
Reforma në drejtësi në Shqipëri ka qenë një nismë e madhe e SHBA, por rezultatet e saj ende diskutohen nga disa si tepër pak dhe tepër vonë. Çfarë mendoni se është arritur nga këto përpjekje, a kanë qenë efikase deri më tani?
Bob Hand: Unë jam një mbështetës shumë i fortë i reformës gjyqësore. Nuk mendoj se dikush mund të thotë se është bërë shumë pak. Kjo është një përpjekje shumë, shumë e madhe, me kontrollin e pastërtisë së gjyqtarëve dhe gjithçka tjetër që lidhet me këtë. Përsa i përket thënieve se ka qenë e vonuar, ndoshta do të kishte qenë tepër e vështirë të zbatohej një reformë kaq e madhe më herët. Gjithsesi, do të duhet një farë kohe që rezultatet e reformës të japin efekt. Ato mund të mos jenë të dukshme menjëherë. Prandaj do t’i inkurajoja të gjithë shqiptarët që të jenë të durueshëm dhe të vazhdojnë ta nxisin këtë reformë për të ecur përpara. Mendoj se rezultatet përfundimisht do të shohin dritën e diellit për sa kohë që ky angazhim të mbetet. Së fundi, do të thosha se reforma jo vetëm që krijon një sistem gjyqësor më të mirë, por edhe e ruan këtë sistem. Ne duhet të kujdesemi që pas këtij procesi të mos ketë kthim prapa, por gjithmonë të ketë vigjilencë, në mënyrë që kultura e pandëshkueshmërisë, korrupsioni e të tjera të kenë marrë fund.
Megjithatë, shumë njerëz kanë pritur që një numër zyrtarësh të rangut të lartë të ishin arrestuar si rezultat i kësaj reforme, të paktën si një shfaqje e fuqisë së reformës. Kjo nuk ka ndodhur. Të tjerë presin që Shtetet e Bashkuara të përfshihen më drejtpërdrejt në zbatimin e reformës. Çfarë mendoni?
Bob Hand: Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të përfshira, por Shtetet e Bashkuara nuk mund të zëvendësojnë presionin nga brenda një vendi që një ndryshim i tillë të ndodhë. Mendoj se ndonjëherë ka një shpresë thuajse të tepruar tek Shtetet e Bashkuara për të bërë hapa të tilla. Sa u përket zyrtarëve të niveleve më të larta, pra që ata të vihen nën vëzhgim më të fortë apo të ndiqen penalisht, mendoj se koha do të tregojnë nëse kjo do të ndodhë ose jo. Unë mendoj se ka rëndësi të vendoset parimi se askush nuk është mbi ligjin.
Shqiptarët prisnin që pas pranimit të vendit në NATO në 2009, integrimi në BE do të kishte qenë një proces i shpejtë. Në fakt gjërat kanë lëvizur ngadalë, duket se shumë pak gjëra po ndodhin. Cili ka qenë problemi?
Bob Hand: Mendoj se, nga një vështrim afatgjatë, ka patur një ritëm të ngadaltë reformash në Shqipëri dhe në vendet e tjera, por dua të theksoj se nuk mendoj që kjo vazhdon edhe sot. Shqipëria ka ndërmarrë veprime që justifikojnë fillimin e negociatave për hyrjen në BE dhe për një lëvizje më të shpejtë. Problemi nuk është më në Ballkan, por mendoj se është në Bruksel, është tek ngurrimi për të sjellë anëtarë të rinj dhe për t’u zgjeruar. Sinqerisht më shqetësojnë disa nga arsyetimet që janë dhënë për t’u përpjekur që ta fshehin këtë fakt, sepse ato dekurajojnë reformatorët në rajon. Dhe unë mendoj se ndërsa flasim për reformën në gjyqësor ose për zgjedhjet, asgjë nuk mund ta nxisë Shqipërinë më shumë sesa nocioni se anëtarësimi në BE nuk është edhe aq i largët. Prandaj BE-ja duhet të bëjë më shumë për të dërguar mesazhe pozitive në rajon, në vend që të dekurajojë vendet që marrin vendime të vështira dhe zbatojnë politika të vështira, dhe që më pas nuk u njihet asnjë meritë për to. Kjo është arsyeja pse unë kam theksuar që politika e SHBA duhet të lëvizë. Ne duhet të vazhdojmë inkurajimin tonë ndaj vendeve në rajon, përfshirë Shqipërinë, për të bërë reforma, në mënyrë që të mund të anëtarësohen në BE. Por ne gjithashtu duhet ta angazhojmë Evropën shumë më fort në Ballkan dhe t’i bëjmë të ditur Evropës që është në interesin e tyre, tonin dhe të të gjithëve për t’i anëtarësuar këto vende pasi të kenë plotësuar kushtet që priten prej tyre.
Shqipëria ka qenë në një krizë të thellë politike me një parlament jo funksional dhe ju e keni komentuar këtë në të kaluarën. Ku e shihni rrugëdaljen? A është vendi gati për një fillim të ri së shpejti?
Bob Hand: Do të shohim se çfarë do të sjellin zgjedhjet e ardhshme. Mendoj se gjatë viteve, me bojkotet e ndryshme, më pas me atë në vitin 2019, kur opozita u largua nga parlamenti, u pa se sa serioze mbeten problemet e pjekurisë politike të vendit. Unë gjithmonë e kam quajtur pozitiv faktin që disa njerëz qëndruan në parlament dhe vazhduan të punojnë brenda sistemit për ndryshime pozitive. Tani thjesht shpresoj që udhëheqësit politikë shqiptarë, por edhe populli i Shqipërisë të kenë mësuar nga kjo përvojë e ngërçit dhe e bllokimit politik. Shpresoj që, kur të vijnë zgjedhjet, ata ta mbajnë parasysh këtë kur të zgjedhin ata që do të drejtojnë qeverinë e ardhshme.
Në thelb, zoti Hand, cili është interesi strategjik i SHBA në Shqipëri?
Bob Hand: Mendoj se SHBA vazhdojnë të kenë një interes të fortë në Evropë në tërësi dhe Shqipëria është pjesë e Evropës kurse Ballkani është gjithashtu rajoni ku ende ka paqëndrueshmëri të ndryshme për shkak të mungesës së ecurisë drejt anëtarësimit në BE. Këto vende nganjëherë nuk dinë ku të shkojnë dhe gjithnjë gjenden forca duan të bëjnë keq. Shteteve të Bashkuara gjatë më shumë se 100 viteve të fundit u është dashur të marrin përsipër angazhime serioze ndaj Evropës për të rivendosur stabilitetin në rajon. Unë mendoj se, Shqipëria është një partnere me ne në këtë aspekt. Vitin e kaluar , kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria reflektoi mirë për Shqipërinë, jo vetëm si një vend që pjesa tjetër e Evropës duhet ta ndihmojë, por edhe si një vend që mund të kontribuojë dhe të ndihmojë Evropën në tërësi. Mendoj se, në këtë kuptim, të kesh një partnere si Shqipëria, është shumë në interes të SHBA.
A shihni se Rusia dhe Kina po përpiqen ta sfidojnë këtë interes të SHBA në Shqipëri?
Bob Hand: Po, do të thoja që ky është një shqetësim për vetë Shqipërinë. Megjithë prirjet shumë pro amerikane që kanë shqiptarët, për sa kohë që ka korrupsion zyrtar dhe krim të organizuar, kjo mund të dëmtojë partneritetin tonë. Paraja të korrupton. Rusia dhe Kina shpesh gjejnë terren të përshtatshëm në vende ku ka korrupsion dhe krim, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk mund të veprojnë kështu. Prandaj, ka një arsye se përse Shqipëria duhet të ndërmarrë reforma, veçanërisht për të luftuar korrupsionin. Do të thosha gjithashtu që Kina dhe Rusia janë më shumë problem në disa nga vendet e tjera të rajonit se sa në Shqipëri. Nuk janë vetëm Kina dhe Rusia, por ka edhe ndikime të tjera në rajon që nuk janë gjithmonë të mira. Marrëdhëniet tona me Turqinë për momentin, nuk janë domosdo në një pikë të mirë. Nuk e them këtë kundër vetë Turqisë, dhe në fakt Shqipëria ka lidhje të forta me Turqinë. Por qeveria e Erdoganit dihet që bën presion mbi vendet e tjera. Unë shpresoj që Shqipëria, ndërkohë që ruan lidhjet e saj me Turqinë, të bëjë gjënë e duhur dhe jo t’i nënshtrohet presionit që mund të ushtrohet mbi të. Shqipëria është një vend sovran që duhet të kujdeset së pari për interesat e veta. Mendoj se pikërisht kjo është ajo që SHBA dëshirojnë të bëjë Shqipëria. Sigurisht që nga kjo do të përfitonin edhe marrëdhëniet tona dypalëshe./VOA