Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë një takimi me gratë tek spitali Covid 2, tha se 60% e sistemit shëndetësor përbëhet nga gra të cilat i cilësoi si kolonat e sistemit shëndetësor.
“Sistemi ynë shëndetësor përbëhet nga 60% gra. Gratë janë kolona që mbajnë sistemin tonë shëndetësor. Janë më shumë se 17 mijë gra që punojnë në shëndetësi, në vijën e parë dhe në prapravijë. Zgjodha për të qenë sot në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku 311 gra punojnë dhe luftojnë çdo ditë me të keqen, kundër armikut të padukshëm dhe japin më të mirën nga vetja për t’i shërbyer tjetrit”, tha Manastirliu.
Më tej Manastirliu tha se brenda javës përfundon vaksinimi i personelit shëndetësor.
“Mirënjohjen tonë e tregojmë jo vetëm çdo ditë në mbështetjen për punën tuaj, por edhe me investimet që ne bëjmë në sektor, nëpërmjet përmirësimit të kushteve të punës, me mbështetjen direkte me rritjen e pagave me 40%, nëpërmjet bonusit special prej 1 mijë euro dhe 500 euro për shërbimet mbështetëse, ku kanë përfituar më shumë se 4 mijë punonjës të shëndetësisë. Dhe jam e kënaqur që finalizojmë brenda kësaj jave vaksinimin e të gjithë personelit tonë shëndetësor, me synimin për ta mposhtur virusin dhe për ta kontrolluar këtë pandemi, e cila është duke u përballuar pikërisht falë forcës së çdo punonjësi të shëndetësisë”, tha Manastirliu./Opinion.al