Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët këtë të martë i është përgjigjur kryeministrit Rama i cili gjatë koferencës së sotme sulmoi programin e Partisë Demokratike.
Kryedemokrati tha se me programin e PD fiton e gjithë Shqipëria, por humb vetëm Rama. Më tej, Basha tha se plani i PD, i përgatitur me ekspertët më të mirë nuk ka premtime, por angazhime konkrete.
“Njëri prej qytetarëve është i lodhur i dëshpëruar dhe nuk e fsheh dot nervozizmin nga ky program. Është i vetmi që del i humbur nga ky program. Qytetari Rama pas 8 vitesh dështimesh nuk i ka mbetur asgjë tjetër përveçse të ngulet para televizori ose ‘Facebook’-ut dhe të bëjë sulme personale. Ju e kuptoni pse e bën këtë. Dua t’iu shpjegoj qytetarëve. Çfarë tjetër mund të bëjë qytetari Rama, kryeministri në ikje pas 8 vitesh premtime të pambajtura, 8 vite dështime, ku ka sjellë papunësi, rritje të kostos së jetesës, ikje masive të të rinjve, shkatërrimin e ekonomisë dhe vendit.
Imagjinoni që për 8 vite ka pasur gjithçka në dorë, pushtetin më të pakufizuar që nga koha e Enver Hoxhës. Shikoni ku e ka katandisur Shqipërinë me pushtetin që ka pasur. Ndërkohë që ka nisur dhe intensifikon ritualet e tij Chavez-iane, sulme ndaj opozitës, medias, ambasadorëve, BE-së, ne kemi vite që përgatisim ofertën tonë për shqiptarët, jo premtime. Unë nuk bëj premtime. PD nuk bën premtime. Ky që shpaloset nga kjo sallë është angazhim, është plan pune konkret. Ka marrë një kohë të gjatë për t’u përgatitur, me ekspertët më të mirë tanët dhe me ndihmën më të vyer ndërkombëtare. Është ky plan pune në qendër të të cilit janë hallet që ka shkaktuar 8 vite qeverisje të kryeministrit të lodhur dhe të dështuar që si ka mbetur tjetër gjë veç sulmeve, diversioneve”, deklaroi Basha./Opinion.al