Publikimi i përgjimeve të organizatës kriminale “Ndrangheta”, ka trazuar politikën shqiptare. Në përgjimet e publikuara në media, është zbuluar dhe aktiviteti i këtij grupi kriminal në vendin tonë.
Në bisedat e përgjuara flitet dhe për ndërtime kullash në Tiranë, me qëllim pastrimin e parave. Po ashtu, flitet edhe për korruptimin e zyrtarëve të lartë shqiptarë.
Kjo gjë ka bërë që PD ti bëj thirrje SPAK që të nis hetimet, ndërsa akuzon kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj për pastrim parash.
Në lidhje me përfshirjen anëtarëve të organizatës kriminale “Ndrangheta” në nivelet më të larta politike në vendin tonë, ka folur në nëntor të vitit 2019 Prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali, Federico Cafiero De Raho.
Ai është shprehur gjatë një interviste televizive se mafiozët shqiptarë në bashkëpunim me “Ndraghetën” kanë krijuar lidhje me eksponentë të politikës dhe interesat e tyre po administrohen nga zyrtarë të nivelit të lartë.
De Raho ka thënë se mafiozët shqiptarë veprojnë njësoj si Ndragheta italiane dhe ndryshe nga më herët janë përfshirë në trafikun e drogërave të forta.
“Kriminaliteti shqiptar është një kriminalitet, që i referohet modelit mafioz italian. Ushtron një kontroll të territorit, kryen aktivitet kriminal, në radhë të parë trafik droge. Nëse më parë ishte përfshirë në administrimin e trafikut të marijuanës, sot merret edhe me kokainë, bashkë me Ndraghetën. Kriminaliteti shqiptar ka hyrë në një rreth kriminaliteti të lartë, pra një rreth që arrin që paratë t’i investojë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Arrin të infiltrohet në ekonomi dhe të krijojë lidhje me çfarëdo eksponenti të politikës, atje ku si në Itali, lëviz duke u ballafaquar me subjekte, që në dukje janë profesionistë, pra njerëz ndonjëherë edhe të institucioneve, të cilët janë të lidhur me subjekte të nivelit të lartë, dhe arrijnë të administrojnë interesat e krimit të organizuar, nëpërmjet kanaleve të infiltrimit, gjithmonë e me të thella. Trafiku i narkotikëve përbën aktivitetin kryesor të kriminalitetit, në këtë kuptim është i lidhur me kriminalitetin e Ndraghetës, prandaj është projektuar për një treg europian. Këtë duhet ta theksoj gjithmonë. Sot kemi përpara syve një kriminalitet gjithmonë më të vështirë për ta dalluar, sepse ai fshihet nën profesionistët apo në figura që janë në gjendje të ushtrojnë aktivitet ekonomik të nivelit të lartë. Prandaj politika, ka një rol thelbësor që të ndalojë, pengojë dhe largojë infiltrimin e mafias”, ka thënë Prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali në vitin 2019./ Opinion.al