Akullorja ka rezultuar me përmbajtje të virusit COVID-19 në Kinë, teksa autoritetet shëndetësore kanë nisur gjurmimin e personave që mund të jenë të infektuar apo në rrezik infektimi.
Rasti ka ndodhur në Tianjin, në pjesën verilindore të Kinës. Tre mostra të akullores së prodhuar në vend, pas testimeve rezultuan të kontaminuara me koronavirus.
Mediat e huaja, raportojnë se rreth 4,836 kuti me akullore kanë rezultuar të kontaminuara nga Kompania Ushqimore Tianjin Daqiaodao.
Nga këto, 2089 janë mbyllur në një magazinë. 1812 kuti të tjera u dërguan në provinca të ndryshme të Kinës nga të cilat 935 u hodhën në treg dhe vetëm 65 u shitën, raporton China Daily.
Hetimet epidemiologjike të kryera deri më tani tregojnë se kompania prodhoi një seri akulloresh duke përdorur lëndë të parë, pluhur qumështi të importuar nga Zelanda e Re dhe pluhur hirrë të importuar nga Ukraina.
Dr Stephen Griffin, një virolog në Universitetin e Leeds, tha se testi pozitiv i akullores ka të ngjarë të vinte nga kontakti me një person të vetëm.
Ai i tha Sky News: “Shanset janë që kjo situatë të jetë rezultat i problemeve në higjienë në fabrikën e prodhimit.” Ai shpjegoi se akullorja ruhet në temperatura të ulëta, dhe në këtë mënyrë e bën më të lehtë mbijetesën e virusit. Por ai shtoi: “Nuk ka nevojë për panik, njerëzit nuk duhet të mendojnë se çdo akullore papritmas do të kontaminohet me koronavirus.”/Opinion.al