Vijojnë kontrollet e autoriteteve për respektimin e masave antiCOVID. Policia e Shtetit njofton se gjatë 48 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me 923 shtetas që nuk zbatuan masat anticovid.
Gjatë kontrolleve efektivët e policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me gjobë 3.000 lekë secili, 913 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Po gjatë 48 orëve të fundit, janë shoqëruar në komisariat 9 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit. Pasi janë identifikuar ata janë ndëshkuar me gjobë 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Autoritetet njoftojnë se është evidentuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 9 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndalimit të lëvizjes, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili./Opinion.al