Spitali “Shefqet Ndroqi” ka reaguar pas publikimit të skandalit, ku sanitarja e spitalit COVID-2, hiqej si infermiere dhe i kishte marrë nën dorë 8 milion lekë një vajze që në këmbim të kujdesej për nënën e saj.
Përmes një njoftimi, stafi i spitalit “Shefqet Ndroqi”, dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv të bërë publik në emisionin investigativ ‘STOP’. Mbas shkarkimit nga puna të sanitares, stafi i spitalit COVID2 i kërkon autoriteteve kompetente të kryejnë hetimet deri në fund për këtë rast.
“Gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ ‘STOP’. Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor ‘Shefqet Ndroqi'”, thuhet në reagimin e spitalit “Shefqet Ndroqi”./Opinion.al