Shqipëria është në ditën dytë të vaksinimit, ndërkohë që Kryeministri Rama deklaroi se nuk do të tregojë shtetin dhurues të vaksinës, kjo pasi ka qenë kërkesë e dhuruesit për të ruajtur konfidencialitetin.
Por, njëkohësisht autoritetet nuk dhanë detaje as mbi mënyrën se si vaksina Pfizer ka mbërritur në Shqipëri. Nëse në shtetet e tjera të BE ardhja e vaksinës është regjistruar nga mediat që në momentin e mbërritjes, kjo gjë nuk ndodhi në Shqipëri.
Shqiptarët u njohën me ardhjen e vaksinës përmes fjalës së kryeministrit Edi Rama, i cili vetëm një ditë para nisjes së vaksinimit njoftoi nisjen e procesit.
Në dokumentet e publikuara në media shkruhet se vaksina e mbërritur në Shqipëri është e prodhuar në Gjermani, por kjo gjë nuk e bën të domosdoshëm faktin se Gjermania mund të jetë shteti dhurues i vaksinës.
Një tjetër fakt, i cili vërtetohet nga dokumentet zyrtare, është dhe mënyra e transportimit të vaksinës anti-COVID. Në këtë dokument theksohet se vaksina është dorëzuar dorazi , pa patur detaje se si është transportuar ajo deri në aeroportin e Rinasit.
Vaksina ka mbërritur në Shqipëri në datën 11 janar, ndërsa kryeministri deklaroi më 10 janar që ditën e nesërme fillonte vaksinimi. Pra, në kohën që është bërë kjo deklaratë Shqipëria ende nuk e kishte vaksinën.
Kryeministri ishte i dyti që u vaksinua kundër COVID-19 në Shqipëri, duke ndjekur shembullin e drejtuesve botërorë për të rritur besueshmërinë ndaj vaksinës./ Opinion.al