Një 43-vjeçar shqiptar u dënua nga gjykata britanike, pasi rezultoi i përfshirë në rrjetin e trafikut të njerëzve, më konkretisht në ngjarjen që bëri bujë në mediat ndërkombëtare, që lidhet me vdekjen e 39 emigrantëve nga Vietnami në një kamion që shkonte për në Britani.
BBC raporton se shtetasit vietnamezë, të moshës midis 15 dhe 44 vjeç, u mbytën në kamion frigoriferik gjatë rrugës nga Zeebrugge në Belgjikë për në Purfleet në Essex të Britanisë në tetor të 2019.
Gjykata e Old Bailey burgosi për 10 muaj, shqiptarin Gazmir Nuzi, 43 vjeç, banues në Tottenham, në veri të Londrës. Vitin e kaluar, ai pranoi akuzën, duke thënë se donte të lehtësonte rrugën për emigrantët.
43-vjeçari e kishte pranuar përfshirjen e tij në ngjarje, por mohoi të ishte anëtar i grupit të krimit të organizuar, edhe pse udhëtimet e tij drejt territorit britanik ishin të shpeshta.Po ashtu, Prokuroria tha se Nuzi nuk ishte anëtar i ndonjë bande kriminale.
43-vjeçari ka muaj që ndodhet në paraburgim. Ndërkohë shtatë persona të tjerë, të dyshuar për këtë ngjarje, janë ende nën hetim. 39 personat ndërruan jetë pasi kishin qenë në kontejner për të paktën 12 orë./Opinion.al