Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar se Albin Kurti ka të drejtë të kandidojë për deputet dhe se interpretimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në forma të tjera është i qëllimshëm.
Konjufca tha se asnjë Gjykatë nuk mund të prekë parimet e shkruara në Kodin Penal të shteteve demokratike.
“Ky ka qenë prej shumë qarqeve një devijim i qëllimshëm i thelbit të votimit të Gjykatës Kushtetuese. Unë mendoj që është ngrit prej atyre që dojnë me shkaktu mjegull, se i kanë humb të gjitha betejat e tjera përveç mjegullës si instrument. Tash e kanë vetëm një metodë me luftu VV-në, kjo është pasiguria, shpërndarja e frikës te qytetarët në mënyrë që kështu t’i ç’orentiojnë qytetarët. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të ketë kurrfarë pasoja perveç zgjedhje të reja. Sa i përket Albin Kurtit këtë nuk mund ta vendos Gjykata Kushtetuese, kjo është e pastër si drita e diellit. Asnjë Gjykatë nuk mundet me prek këtë parim që është i shkruar në çdo Kod Penal të shteteve demokratike. Kush shkon deri në masën për me e prek, qoftë edhe prej KQZ-së këtë parim universal të Kodit Penal, kush thotë që për veprën penale më i rëndësishëm qenka Ligji për zgjedhjet sesa Kodi Penal ai bën shkelje të rëndë. Kjo shkelje duhet me u trajtu pas disa muajve kur të vijë drejtësia në vend”, shtoi Konjufca në KTV.
Gjithashtu, Konjufca thekson se Albin Kurti me këtë legjislacion e ka fituar mandatin e vitit 2019 dhe me këtë Kod Penal . “Albin Kurti me këtë legjislacion e ka fitu mandatin e vitit 2019, me këtë Kod Penal të vitit 2012. Kushtetuta ia garanton Albin Kurtit që ajo që iu ka shqiptuar përmes veprës së tij, i cili karakterizohet me Kushtetutë dhe me Kod Penal si dënim me kusht, për këtë Albin Kurtit me u çu krejt bota nuk munden me ja ndalu me kandidu për deputet. Për këtë jam i sigurt, për këtë jam i bindur, e di që po kanë qejf por nuk munden me ja ndalu”, u shpreh Konjufca./Opinion.al