Vijojnë përplasjet mes presidentit Meta dhe kryeministrit Rama në lidhje me bllokimin e projektit të rrugës Vlorë-Orikum. Kryeministri Rama akuzon Presidentin se projekti është gati, por marrëveshja e arritur me Fondin Saudit është bllokuar nga ky i fundit.
Ndërkohë, lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama se “presidenti nuk jep autorizim për negociata me fondin saudit për marrëveshjen e huas”, Presidenti Ilir Meta publikoi sot, gjatë konferencës për shtyp edhe korrespodencën me Ministrinë e Financave për këtë çështje, ku ndër të tjera pranohej se nuk kishte pasur negociata, gjë që sipas Presidentit është shkelje e Kushtetutës dhe e ligjit.
“Qartazi përfaqësues të qeverisë gënjyen në kuvend se do të vijonin projektin por me fonde të tjera. Vetëm 7 ditë më vonë, më 29 shtator, Ministria e Financave i paraqet një kërkesë presidentit ku kërkon autorizim për plotfuqi për një marrëveshje huaje me fondin saudit. Presidenti ndërkohë njihet me faktin, madje ishte miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave më 23 shtator 2020. Si rezultat i shqyrtimit të kësaj praktike, rezultoi që jo vetëm që presidentit i kërkohet plotfuqi për një marrëveshje ku më parë nuk i ishte kërkuar autorizim për negociata, jo vetëm që kryeministri e ka miratuar në parim marrëveshjen duke kapërcyer fazën e negocimit, por përfaqësues të qeverisë kanë gënjyer. Më e rënda, duke shkelur kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit që përcaktojnë që një marrëveshje e re huaje duhet patjetër negociuar para se të nënshkruhej.
Më 6 tetor presidenti i drejtohet Ministrisë së Financave dhe për dijeni dhe ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme që në atë kohë ishte vetë kryeministri, ku i thotë se pas verifikimeve paraprake nuk na rezulton që për këtë marrëveshje Presidenti i Republikës të ketë lëshuar autorizim për negocim. Me qëllim mos pengimin e procesit, kërkojmë të na informoni brenda një kohe sa më të shpejtë për gjithë hapat që janë ndjekur për finalizimin e marrëveshjes.
Ministria e Financave i kthen përgjigje presidentit dhe pranon që në datën 15 tetor, konkretisht për marrëveshjen që kërkohet ky autorizim nuk ka pasur negociata sepse asnjë prej institucioneve në varësi nuk ka pasur komente apo sugjerime mbi draft marrëveshjen e vënë në dispozicion nga Fondi Saudit për Zhvillim. Pra, Ministria e Financave tha se nuk ka pasur negociata. Presidenti duke mos dashur të besojë një shkelje kaq flagrante të ligjit, i drejtohet sërish me shkresë më 27 tetor. Presidenti nuk mund të fshihte shqetësimin e vënë disa herë në dukje dhe i kujtoi Ministrisë së Financave që sipas ligjit, Ministria e Financave ka detyrimin të negociojë dhe pastaj të vendosë për kushtet e huas si dhe të vlerësojë dhe negociojë rregullat për të drejtat dhe detyrimet e palëve. Ndërsa Ministria e Financave pranon me shkresën e datës 15 tetor që nuk ka zhvilluar negociata për marrjen e një huaje në vlerë 30 milionë dollarë. Ose janë kryer negociata të paligjshme, pasi në çdo rast janë kryer pa autorizimin e Presidentit ose nuk janë kryer negociata siç thotë Ministria e Financave. Në të gjitha drejtimet janë në shkelje të Kushtetutës”, thotë Meta./Opinion.al