Policia e Dibrës ka arrestuar një 52-vjeçar pasi akuzohet për “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Kallzim i rremë”.
52-vjeçari F. Z. është paraqitur për ndihmë mjekësore në qendrën shëndetësore Maqellarë gjatë orëve të mbrëmjes, ku ka deklaruar para autoriteteve se ishte plagosur me armë zjarri nga disa persona të pa identifikuar.
Pas kësaj deklarate policia ka nisur hetimet, nga të cilat rezultoi se i plagosuri kishte gënjyer në deklaratën e tij.
Mësohet se në aksin rrugor Shupenzë-Maqellarë, shtetasi F. Z., duke drejtuar automjetin tip ‘kamionçinë’, në gjendje të dehur dhe në sens të kundërt të rrugës, në momentin që ka zbritur nga automjeti, është dëmtuar në pjesën e këmbës dhe ka qëndruar në mes të rrugës.
Në testin e alkoolit me aparatin Drager, ai ka rezultuar në gjendje të dehur në masën 0.61 mg/l. Ndërkohë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme./ Opinion.al