Ish-kandidatja për kryeprokurore Fatjona Memçaj është zgjedhur ditën e sotme si prokurore ndërlidhëse mes Shqipërisë dhe Eurojust.
Këtë të enjte Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mbështetur në propozimin e bërë nga Prokurori i Përgjithshëm ka komanduar Memçaj si prokurore ndërlidhëse që do t’i ushtrojë funksionet në zyrën e Eurojust në Hagë për një periudhë kohore 2 vjet e 6 muaj.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka takuar prokuroren ndërlidhës pranë Eurojust, Fatjona Memçaj, për t’i uruar suksese në detyrën e re dhe për t’i ofruar mbështetje për bashkëpunim të suksesshëm mes Shqipërisë dhe Eurojust-it.
Eurojust është një organizëm i ngritur në vitin 2002 me një vendim të Këshillit Europian. Ka në përbërje të tij prokurorë, magjistratë dhe oficerë policie nga çdo vend anëtar i Bashkimit Europian si dhe prokurorët ndërlidhës nga vendet e treta ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Shqipëria është bërë pjesë e Eurojust më data 1 nëntor të vitit 2019./Opinion.al