Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dheKorrupsionit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjyq ish-kryetaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, e zgjedhur nga radhët e LSI-së në vitet 2015-2019.
Në njoftimin e SPAK bëhet me dije se Zamira Rami akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
“Nga hetimi i kësaj çështjeje ka rezultuar se ish -Kryetarja e Bashkisë gjatë ushtrimit të funksioneve të saj, në lidhje me procedurat e ndjekura për lejen e ndërtimit dhe vazhdimin i punimeve për realizimin e projektit “Rikonstruksion i rrugës Kryqëzim me rrugën nacionale (Postbllok) – Sheshi i Çerçizit”, si dhe lejen e ndërtimit dhe vazhdimin e punimeve për realizimin e projektit “Rikualifikimi i hapësirave publike dhe rrugës hyrëse pranë Memorialit të Rilindasve në Gjirokastër”, ka kryer veprime në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, duke prishur dy prona të ligjshme të shtetasve Dritan Sako dhe Teodorti Xhai dhe duke i shkaktuar atyre një dëm pasuror në vlerë 5 600 520 (pesëmilion e gjashtëqindmijë e pesëqind e njëzetë) lekë”, njofton SPAK./ Opinion.al