Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur të kufizojë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarët e Partisë Komuniste të Kinës dhe familjet e tyre.
Departamenti i Shtetit në një deklaratë është shprehur se ka zvogëluar kohëzgjatjen maksimale të vizave (turistike dhe për arsyje biznesi) nga 10 vjet në 1 muaj për anëtarët e Partisë Komuniste kineze dhe familjarët e tyre, raporton Reuters.
Sipas deklaratës së dhënë të enjten qëllimi i këtij vendimi ka qënë për të mbrojtur kombin nga ndikimi i partisë, e cila nëpërmjet propagandës afekton amerikanët.
Gjithashtu, Departamenti i Shtetit është shprehur se Partia Komuniste Kineze, me më shumë se 90 milion anëtarë, “dërgon agjentë në Shtetet e Bashkuara për të monitoruar, kërcënuar dhe raportuar mbi shtetasit kinezë dhe grupet kinezo-amerikane”.
Pas një vendimi të tillë nga Administrata Trump, nuk ka munguar as kundërpërgjigja nga Ministria e Jashtme e Kinës e cila ka denoncuar rastin.
“Kjo është një formë e përshkallëzuar e shtypjes politike ndaj Kinës nga forca ekstreme anti-Kinë në SH.B.A. të cilat veprojnë nga njëanshmëria e fortë ideologjike dhe mentaliteti i rrënjosur thellë që prej Luftës së Ftohtë,” tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Hua Chunying.
Ky ishte hapi i fundit kundër atyre që Uashingtoni i quan operacione të ndikimit kinez në Shtetet e Bashkuara dhe vjen në më pak se dy muaj para se Presidenti i zgjedhur, Joe Biden të marrë detyrën.
Uashingtoni dhe Pekini gjithashtu janë përplasur më herët për trajtimin e Kinës pas shpërthimit të koronavirusit, pretendimet për Detin e Kinës Jugore, tregtinë dhe akuzat e krimeve të të drejtave të njeriut në Xinjiang.
Lajmi për kufizimet e reja të vizave u raportua së pari nga The New York Times./Opinion.al