Kosova dhe Serbia javën e kaluar kanë arritur një “marrëveshje mirëkuptimi” për të pezulluar vizitat e ndërsjella, për aq kohë sa do të zgjasin gërmimet në varrezat e dyshuara masive, ku dyshohet se janë varrosur civilët shqiptarë, të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kjo marrëveshje, sipas burimeve nga Bashkimi Evropian, u bë menjëherë, pasi autoritetet në Prishtinë refuzuan kërkesën për vizitë të zyrtarëve të lartë serbë.
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka konfirmuar se është arritur një pajtim i mirëbesimit, por nuk ka saktësuar për çfarë palët kanë rënë dakord.
“Ne nuk komentojmë marrëveshje diplomatike apo të mirëkuptimit, të cilat i ka ndërmjetësuar BE-ja me apo mes partnerëve tanë. Por, në këtë rast konkret, mund të konfirmoj, pa hyrë në detaje, se ne kemi ndërmjetësuar një mirëkuptim të tillë mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me vizitat e ndërsjella”, ka deklaruar Stano.
Mësohet se marrëveshja u arrit përmes përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe ai parashikoi që palët të përmbahen nga kërkesa për vizita në Serbi ose Kosovë.
Haradinaj-Stublla “shkeli konfidencialitetin e marrëveshjes”
Por, një zyrtar i BE-së tha për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se “ministrja e Kosovës (Meliza Haradinaj-Stublla) e shkeli konfidencialitetin e kësaj marrëveshjeje brenda pak orësh, dhe kjo është arsyeja pse BE doli në publik, dhe konfirmoi ekzistencën e një marrëveshjeje për të cilën nuk duhej të flitej në publik”.
Siç u shpjegua në selinë e BE-së, iniciativa për këtë marrëveshje u nis për shkak të “nxitimit të papritur të kërkesave” të paraqitura për vizita në Kosovë dhe Serbi, në kohën kur filluan gërmimet në një vend ku dyshohet për një varrezë masive të shqiptarëve të Kosovës të vrarë gjatë luftës.
Logjika e kësaj iniciative evropiane, siç u tha, është që vizita të tilla do të provokojnë tensione dhe emocione.
Sipas burimeve, kishte tre kërkesa nga Serbia për të vizituar Kosovën, përfshirë edhe ajo e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, një kërkesë nga Kosova për të vizituar Serbinë. Burimet e REL-it konfirmuan se pala serbe gjithashtu ra dakord “në heshtje” të tërheqë kërkesën për një vizitë.
Në kuadër të dialogut teknik, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për vizitat zyrtare, e cila ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor, 2014.
Aty janë përcaktuar edhe afatet kohore se kur mund të dërgohen kërkesat për vizita dhe kur palët mund ta refuzojnë një vizitë të zyrtarëve të shtetit tjetër. Për të gjitha këto, thuhet në marrëveshje, duhet që edhe BE-ja të jetë e informuar.
Më 21 nëntor, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se ka refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe dy zyrtarëve të tjerë.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Haradinaj-Stublla tha se kërkesa e presidentit Vuçiç, ministrit të Mbrojtjes, Alleksandar Vulin dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe Petar Petkoviq për të vizituar Kosovën, vjen në një kohë kur në Serbi po kryhen gërmime pas gjetjeve të mbetjeve mortore “të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas”.
Në BE ndërkaq nuk kanë dashur ta komentojnë as deklaratën e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Haradinaj-Stublla, e as të letrën që i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.
“Lidhur me deklaratat e ministres së Jashtme të Kosovës, unë vetëm mund të them se roli i Bashkimit Evropian nuk është për të komentuar secilën deklaratë të bërë nga ndonjë politikan apo zyrtar në rajon. Ne fokusohemi në punën konkrete për t’u ndihmuar partnerëve tanë në rajon që të lëvizin përpara në rrugën evropiane, duke përqafuar vlerat dhe parimet evropiane. Ne gjithmonë u kemi bërë thirrje aktorëve politikë në Serbi, Kosovë dhe pjesë tjera të rajonit që të angazhohen në veprime dhe deklarata të cilat krijojnë dhe promovojnë atmosferën për pajtim, stabilitet rajonal dhe bashkëpunim, e jo të kundërtën”, ka thënë Stano.
Ministrja Haradinaj-Stublla deklaroi më 25 nëntor se i kishte refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë, presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë derisa ai “të kërkojë falje për gjenocidin ndaj popullit tonë, dhe derisa nuk vihen para drejtësisë ndërkombëtare përgjegjësit e këtij gjenocidi”.
Sa i përket letrës së Lajçak i ka dërguar Hotit, për të cilën ky i fundit e ka konfirmuar, Stano tha se është rregull e përgjithshme në BE që të mos komentojë korrespondenca të tilla.
Lidhur me problemet rreth vizitave të zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, zëdhënësi i BE-së, Stano, tha se blloku evropian pret respektimin e aranzhimeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga Brukseli, përfshirë edhe ato për lirinë e lëvizjes së zyrtarëve.
“Partnerët ishin pajtuar për modalitetet e qarta për të menaxhuar dhe realizuar vizitat zyrtare dhe kjo marrëveshje nuk do të duhej të politizohet. Cilado mosmarrëveshje do të duhej të adresohej dhe zgjidhej në kuadër të dialogut”, është shprehur Stano.
Më 25 nëntor, presidenti serb, Vuçiq tha se kërkesa për vizitë iu refuzua nga Prishtina zyrtare, në mënyrë që “të bënin një ngjarje të madhe prej kësaj”.
“Ata donin të dërgonin ministren e Punëve të Jashtme, e cila donte ta bënte një shfaqje politike në komunën e Rashkës. Ne u thamë atyre se, kjo ishte absolutisht e papërshtatshme për momentin. Meqenëse na dërguan një letër, ne u dërguam atyre një letër. Nuk kemi asgjë për të fshehur”, tha Vuçiç.
Haradinaj-Stublla kishte kërkuar javën e kaluar që të vizitonte lokacionin “Kizhevak” në Serbi, ku më 16 nëntor ia gjetur mbetje mortore, që dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Pas zbulimit të lokacionit “Kizhevak”, kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për personat e zhdukur, Velko Odalloviq, i tha Radio Televizionit të Serbisë (RTS), më 18 nëntor, se informacionet tregojnë se në atë vend potencialisht gjenden 15 deri 17 trupa.
“Kizhevaku” përmendet në raportin e progresit për të drejtat e njeriut, të cilin për çdo vit e publikojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në raportin e vitit 2015 thuhet se në këtë vend “dyshohet që forcat serbe kanë varrosur mbetjet e shqiptarëve të Kosovës, të vrarë në fshatin Rezallë në Kosovë, në vitin 1999”.
Trupat e 28 viktimave nga ky fshat janë gjetur në vitin 2013, në varrezan masive në Rudnicë, ndërkaq dy vjet më vonë janë varrosur në Rezallë.
Krimin në Rezallë e vuri në dukje ish-drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, pas zbulimit të lokacionit të ri.
Që nga viti 2001 e deri më sot, në territorin e Serbisë, në 4 lokacione janë gjetur varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë.
Sipas të dhënave të Zyrës për persona të zhdukur të UNMIK-ut, në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në vitin 2001 janë zbuluar 744 trupa. Të njëjtin vit, në Petrovo Selo, në Serbinë Lindore, janë gjetur 61 trupa. Në liqenin Peruqac, në vitin 2001, është zbuluar varrezë masive me 84 trupa.
Për herë të fundit, varrezë masive është zbuluar në vitin 2013, në Rudnicë, në jugperëndim të Serbisë, në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë. Aty janë gjetur mbetjet mortore të 52 personave. Më shumë 1.640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të pagjetur./Burimi: REL