Pandemia COVID-19 vijon të shkaktojë viktima në radhët e bluzave të bardha në Shqipëri.
Mëngjesin e sotëm ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi se mjeku Ilirjan Draçi ka humbur jetën pas infektimit me koronavirus.
Ministrja shprehet se mjeku Draçi ishte i shtruar në Spitalin Infektiv, por nuk ka mundur të fitojë betejën kundër COVID-19.
Mesazhi i Manastirliut:
Dr. Ilirjan Draçi ishte mjeku që me profesionalizëm e përkushtim i shërbeu komunitetit të banorëve të Tiranës për vite e vite me rradhë si mjek dhe drejtues në poliklinikën e specialiteteve nr.1.
Dr. Ilirjani nuk ia doli në betejën me virusin e pabesë me gjithë përpjekjet e mëdha të kolegëve në spitalin Infektiv. E trishtuar nga kjo humbje e madhe për të gjithë ne. Do na mungojë shumë energjia e pashtershme dhe shpirti i sakrificës së një mjeku model, qytetari të mirë dhe drejtuesi të zotë.
U prehsh në paqe dr. Draci. Ne do ta fitojmë luftën ndaj këtij armiku të padukshëm të gjithë #bashkë!/ Opinion.al