Kryeministri Rama ka sulmuar sërish opozitën duke e akuzuar që kërkon pushtetin me çdo çmim, madje edhe me jetë njerëzish.
Duke publikuar sërish videon e Partisë Demokratike, kryeministri Rama ka bërë një reagim më të gjatë në Facebook ku kësaj radhe shkruan se opozita ëndërron edhe vdekjen e tij në radhë të parë. Në një postim të mëparshëm në Twitter kryeministri shkruante “edhe vdekjen time mundësisht”.
“Kur ju them ëndërrojnë katastrofën shëndetësore, kolapsin e spitaleve, asfiksimin tuaj, vdekjen e sa më shumë njerëzve, patjetër edhe timen në radhë të parë, prandaj ju mbushin përditë me helmin e shpifjeve për spitalet, të infektuarit, të vdekurit, ilaçet, oksigjenin, testet, mjekët, ekspertët, qeverinë, duke nxitur frikë, ankth, pasiguri, disa thonë se e bëj për politikë!
Jo, fatkeqësisht kjo është e vërteta!”, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, opozita ka bërë aleancë me atë që ai e quan armiku i padukshëm. Ai deklaron se ata janë pa strategji dhe se duan pushtetin me çdo çmim
“Janë të zbrazur nga koka e nga shpirti, s’kanë as ide e as forcë për Shqipërinë, as dashuri e as respekt për njerëzit, por e duan pushtetin me çdo çmim për plaçkë si gjithmonë dhe nuk duan t’ia dinë për ju, prandaj edhe janë e vetmja opozitë në botë që bën aleancë me Armikun e Padukshëm kundër qetësisë shpirtërore e mendore të popullit!
Dhe ja, shikojeni, nuk ka nevojë t’jua them unë atë që ëndërrojnë në kokëboshllëkun e shpirttrokllëkun e tyre, sepse e kanë bërë vetë krejt të qartë, me video, ëndrrën e tyre makabër dhe qëllimin e tyre mizerabël!
E vetmja opozitë në botë që edhe njëherë në shekull, kur sëmundja ka pllakosur mbi gjithë njerëzimin, nuk gjen arsye të bashkohet me shumicën për ta qarë sa më mirë hallin e popullit”, shton kryeministri Rama. /Opinion.al