Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me sulmin terrorist mbrëmjen e kaluar në Vjenë, nga i cili humbën jetën 4 persona dhe u plagosën 17 të tjerë.
Teksa dënon këtë sulm, Basha shpreh ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, ndërsa shton se Shqipëria qëndron fort në solidaritet me popullin dhe autoritetet austriake.
“Dënoj ashpër sulmin terrorist frikacak kundër jetëve të pafajshme në Vjenë. Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjet e viktimave. Shqipëria qëndron fort në solidaritet me popullin dhe autoritetet austriake.”-shprehet Basha.
Po ashtu dhe kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e sulmit terrorist në Vjenë. Rama shkruan në “Twitter” se vlerat e përbashkëta të dy vendeve do të jenë gjithmonë më të forta se çdo ekstremizëm i dhunshëm.
“Zemërthyer nga sulmi terrorist në Vjenë, që është edhe më shumë sot zemra e Evropës sonë. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjarët e viktimave. Vlerat tona të përbashkëta do të jenë gjithmonë më të forta se çdo ekstremizëm i dhunshëm. Ne qëndrojmë të vendosur me Austrinë”, shkruan Rama./ Opinion.al