Një 20-vjeçar në Shkodër është ndjekur nga policia dhe është arrestuar në flagrancë, sepse pas një konflikti të çastit ka tentuar të vrasë me armë zjarri një 37-vjeçar.
“Policia e Shkodrës, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, sapo ka marrë një telefonatë se në fshatin Vrakë, në ambientet e një lokali po ndodhte një konflikt mes dy shtetasve, menjëherë ka shkuar në drejtim të adresës së dhënë. Falë reagimit në kohë, shërbimet e Policisë kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit që do kishte pasoja të rënda për jetën, pasi shtetasi K. K., 20 vjeç, ka tentuar të vrasë për motive të dobëta, me armë zjarri, shtetasin J. P., 37 vjeç, banues në Shkodër, duke e qëlluar një herë me armë zjarri pistoletë, por pa i shkaktuar dëmtime trupore”, njofton policia duke bërë të ditur se 20-vjeçari, sapo ka parë Policinë është larguar me shpejtësi, por është kapur gjatë ndjekjes.
Gjithashtu është sekuestruar një pistoletë me silenciator, të cilën autori e hodhi në rrugë gjatë ndjekjes së Policisë, si dhe automjeti me të cilin ai tentoi të largohej./Opinion.al