Gratë naftëtare të Ballshit kanë hyrë sot në ditën e 16 të grevës së urisë, ndërsa gjendja shëndetësore e tyre vijon të përkeqësohet.
Ato janë shprehur të vendosur që nuk do e ndërpresin grevën deri në momentin kur kryeministri Edi Rama të shkoj n Ballsh për të diskutuar gjetjen e një zgjidhje për marrjen e pagave të prapambetura.
Naftëtaret deklarojnë se nuk kanë besim që të bisedojnë me kryeministrin jashtë grevës.
‘’Nuk dalim që këtu. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama, do dalim kur të marrim pagat e fituara me gjyq. Nuk negociojmë jashtë grevës se nuk kemi besim.’’– thonë ato.
Ndërkohë, pavarësisht se naftëtarët jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe shëndeti i tyre vijon të përkeqësohet për shkak të grevës, kryeministri nuk ka gjetur asnjë zgjidhje.
Në të gjitha reagimet e bëra prej tij në rrjetet sociale, Rama iu përsërit kushtin që të dalin nga greva, por asnjëherë nuk ka propozuar një zgjidhje konkrete për naftëtarët.
Ditën e djeshme, Rama tha nga Kuvendi se nuk do të bisedojë me naftëtarët gjatë kohës që ata janë në grevë për shkak se nuk do që të krijojë precedentin që çdo qytetarë i pakënaqur nga kompania ku punon të kërkoj para nga shteti përmes grevës./ Opinion.al