Policia e Shtetit ka gjobitur 621 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse gjatë 24 orëve të fundit.
Autoritetet informojnë se është ndëshkuar me gjobë 700.000 lekë, një 41-vjeçar nga Mallakastra, i cili ka tentuar të kalojë në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, duke qenë i infektuar me COVID-19.
Po ashtu, në Elbasan është ndëshkuar me gjobë 1 milion lekë shtetasi P. N., pasi në lokalin në pronësi të tij, në Hotolisht, Librazhd, ka organizuar një ceremoni martesore, ne kundërshtim me masat anticovid.
Sakaq, në Durrës është ndëshkuar me gjobë 5.000 lekë, një 21-vjeçar, pasi është konstatuar nga policia dy herë pa maskë mbrojtëse.
Gjithashtu, është ndëshkuar më gjobë 1 milion lekë shtetasi E. B., pasi ka mbajtur hapur lokalin në pronësi të tij, në lagjen nr. 7, Korçë dhe ka vendosur muzikë pas orës 20:00 në kundërshtim me Aktin Normativ.
Po në 24 orët e fundit, janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 11 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete./ Opinion.al