Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ndal sërish sot tek çështja e inceneratorëve duke i bërë apel SPAK-ut që të nisë hetimet.
Basha denoncoi se administratorja e firmës që ka ndërtuar inceneratorin e Elbasanit është vënë nën presion ditët e fundit nga ajo që ai e quan “mafia e plehrave”.
Kreu i demokratëve i kërkoi SPAK të hetojë sa më shpejtë, përndryshe nëse dëshmitarët dhe të dyshuarit e çështjes së inceneratorëve zhduken, përgjegjësia do të jetë e tyre
“Një nga personat kyç Stela Gugallja është vënë nën presion nga mafia e plehrave, I bëj thirrje SPAK të nisë marrjen në pyetje të dyshuarve kryesorë dhe të marrë në mbrojtje dëshmitarë kyç dhe të mos përfundojnë në drejtim të paditur siç i ndodhi Ardi Çelës që i është zhdukur shefja e kabinetit pas padisë.
Paralajmëroj SPAK-un se nëse ikin në drejtim të paditur të dyshuar ose dëshmitarë kryesorë për këtë çështje, do të jetë përgjegjësi e tyre dhe avashllëkut misterioz me të cilin po trajtojnë këtë çështje. Çojeni një sinjal që ekzistoni, çojini shqiptarëve një mesazh shprese. Bëni të mundur të paktën që të dyshuarit dhe dëshmitarët kryesorë të kësaj çështjeje të mos zhduken në drejtim të paditur.”, tha Basha. /Opinion.al