Organizata e Kombeve të Bashkuara shënon sot 75-vjetorin e themelimit të saj. Ajo u krijua pas Luftës së Dytë Botërore me qëllim parandalimin e një konflikti tjetër që do ta çonte botën në kaos.
Megjithëse gjatë këtyre 75 viteve bota ka patur luftëra, OKB mbetet ende organizata më e madhe dhe më e rëndësishme ndërkombëtare. Këshilli i saj i Sigurisë ende shihet si organi që merr disa nga vendimet më të rëndësishme që ndikojnë në jetën e planetit.
Në një mesazh që përkujton këtë ditë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shpreh urimin e tij që edhe Kosova të jetë sa më shpejtë anëtare e OKB-së duke konfirmuar kështu statusin e saj si shtet i pavarur dhe sovran.
“Dita e sotshme shënon 75 vjetorin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e cila është organizata më e madhe dhe më e rëndësishme sot në botë, e krijuar për të forcuar bashkëpunimin midis shteteve, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e paqes në botë.
Sivjet mbushen gjithashtu 65 vjet nga pranimi i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Është dita për të rikonfirmuar përkushtimin tonë për të ndjekur parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe e mbështetur misionin e OKB-së në ruajtje të paqes dhe sigurisë në botë.
Në këtë 75 vjetor të OKB dua të shpreh urimin që gjithashtu që Republika e Kosovës të marrë sa më shpejt vendin që i takon si shtet anëtar me të drejta të plota i kësaj organizate. Unë dhe qeveria e ardhshme e Shqipërisë do japim mbështetje të pakursyer për ta bërë këtë realitet.”, shkruan Basha në Twitter. /Opinion.al