Policia ka arrestuar drejtorin e prokurimeve të OSHEE, Erlis Bushati, ndërsa është shpallur në kërkim ish-shefja e kabinetit të drejtorit të OSHEE, Alma Ferra.
Arrestimet janë bërë nga Policia e Tiranës me urdhër të SPAK. Sipas informacioneve, Erlis Bushati dhe Alma Ferra akuzohen për korrupsion.
Hetimet për këtë çështje kanë nisur prej disa muajsh ndërsa dyshohet se janë të përfshirë dhe persona të tjerë. Disa ditë më parë janë marrë në pyetje nga SPAK-U dhe sot është bërë i mundur lëshimi i urdhër arresteve.
SPAK ka regjistruar proçedimin penal për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni aktiv personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Objekt i hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal janë veprimet dhe mosveprimet e kryera lidhur me proçedurën e prokurimit “Shërbim-Konsulencë”, për lidhjen e kontratës me objekt “Asistencë teknike për ndarjen e aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga furnizimi i energjisë elektrike së bashku me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të klientit të OSHEE sh.a”, me fond limit 138500000 lekë.
Kjo procedurë prokurimi është zhvilluar në vitin 2016 nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Rezulton se Elis Bushati, Athinta Papa dhe Irma Dërguti, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që kanë marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi dhe që kanë shqyrtuar dhe vlerësuar ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke favorizuar në mënyrë të padrejtë shoqërinë tregtare “COM METODI” S.P.A, me seli në Milano, Itali.
Po ashtu, nga hetimet e kryera, ka dyshime se Albana Ferraj, e cila gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi ka kryer funksionin e Drejtorit të Divizionit Tregtar dhe Drejtorit të Kabinetit në shoqërinë tregtare OSHEE sh.a, ka marrë përfitime të parregullta, në shumën prej 131.880 euro, me qëllim për të favorizuar shoqërinë tregtare “COM METODI” S.P.A në proçedurën e prokurimit të zhvilluar në vitin 2016.
Me qëllim përfitimin e këtyre parave, Ferraj ka krijuar një marrëdhënie fiktive midis saj dhe shoqërisë “COM METODI” S.P.A, duke përdorur edhe një shoqëri tjetër me seli në Shqipëri, duke fshehur dhe mbuluar natyrën e kundra-ligjshme të origjinës së shumës monetare të mësipërme.
Ndaj Ferrajt është caktuat masë e sigurimit personal “arrest ne burg”, si e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndaj Bushatit është caktuar masë sigurie “arrest ne burg”, si i dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike” të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Kurse ndaj Irma Dërgutit është caktuar masa “arrest ne shtëpi”, si e dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike” të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Athinia Papës i është caktuar masa”arrest ne shtëpi”, si e dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike” të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar./Opinion.al