Teksa PDIU dhe mbështetësit e saj vijojnë protestën përpara ministrisë së Jashtme, Ministri grek, Nikos Dendias po vijon takimet sipas axhendës së planifikuar.
Ministri i Jashtëm grek është pritur nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, i cili ka bërë publike detaje lidhur me takimin zyrtar të zhvilluar mes tyre.
Cakaj, përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se me homologun grek, vlerësuan bashkëpunimin mes dy vendeve ndërsa nënvizuan rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve dypalëshe.
Ministria e Jashtme bëri me dije se në takim, u theksua mbështetja e Greqisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, si dhe mbështetjen nga ana e shtetit helen të kandidaturës të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit 2022-2023./ Opinion.al