Ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi kanë diskutuar mbi koston e menaxhimit të mbetjeve të kryeqytetit.
Nga studio e emisionit “Opinion” të dy eksponentët e Partisë Demokratike thanë se kostoja e menaxhimit për një ton mbetje është e lartë dhe shkon sot në 84 euro, ndërkohë që në kohën kur Lulzim Basha ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, pritej të firmosej një kontratë me vlerë 37 euro për ton.
“Sot në Tiranë për 1 tonë plehra paguhen 84.4 euro. 29 euro është vlera që paguhet nga kufiri i landfillit dhe brenda. Po që të shkojnë plehrat tek landiflli kush i mbledh? Kostoja sa shkon? Që nga kazani i plehrave deri atje, kostoja totale shkon 84.4 euro”, u shpreh ish-deputeti Alibeaj, duke llogaritur që në kohën kur kryetar i Bashkisë së Tiranës ishte zoti Basha, kjo kosto totale do duhej të ishte 37 euro.
Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi tha se për këtë çështje ka nisur një hetim ndërkombëtar.
“Për këtë çështje ka nisur hetim ndërkombëtar dhe shqiptarët shumë shpejt do mësojnë emër, atësi dhe mbiemër të personave që kanë gllabëruar paratë e shqiptarëve. Ka partnerë ndërkombëtarë që janë duke hetuar ku po shkojnë paratë që vidhen në Shqipëri dhe përfundojnë në depozita offshore”, u shpreh Bardhi./Opinion.al