Partia Demokratike ka denoncuar sot inceneratorin në landfilldin e Sharrës por ata thonë se u penguan dhe agresuan nga punonjës të firmës.
Zëdhënsja e PD, Ina Zhupa dhe kreu i FRPD-së Belind Këlliçi thanë se u penguan për të kryer detyrën e tyre, me qëllim për t’u mbyllur gojën për të thënë të vërtetën lidhur me atë që ata e quajnë “mafia e inceneratorëve”.
Në një deklaratë për mediat, ata u shprehën se pavarësisht kërcënimeve do të vijojnë të publikojnë faktet mbi këtë aferë, që rëndon xhepat e qytetarëve.
“Në landfilldin e Sharrës, në një territor që është ambjent publik jemi rrethuar nga dhjetra punonjës të kompanisë private, një skenë mfioze e dirigjuar nga mafia e plehrave kanë përdorur kompaninë private për të na intimiduar, jemi ndjekur me makina private të mbushura me punonjës të kompanisë për të na përzënë. Kemi shkuar sot për të denoncuar një territor që është ambjent krimi, ku 4 vjet më parë humbi jetën Ardit Gjoklaj. Jemi agresuar nga punonjësit për të thënë ca të vërteta të mëdha. Nga se fshihet Edi Rama? Nëse mendojnë se na kanë ndaluar në detyrën tonë ne do të vijojmë të publikojme faktet e shifrat sesi kjo aferë rëndon xhepat e qyetarëve”, u shpreh Këlliçi.
Ndërsa zëdhënësja e PD-së i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë këtë aferë dhe të zbulojë kush janë pronarët e ëvrtetë të inceneratorëve.
“Kush janë pronarët e vërtetë të inceneratorëve, për të cilët shkeli ligjin e prokurimeve publike nuk bëri garë ndërkombëtare, bëri tender pa kritere reference dhe për këtë duhet të japë përgjigje Rama. SPAK nuk duhet të heshtë për të zbuluar këtë lidhje mafioze që prek shtetin e pushtetin në Shqipëri. Kush janë pronarërt e vërtetë që marrin taksat e shqiptarëve?”, deklaroi Zhupa./ Opinion.al