Përdorimi i detyrueshëm i maskave edhe në ambjente të jashtme ka qenë në qendër të pyetjeve që gazetarët i kanë drejtuar Kryeministrit Rama në emisionin “Opinion”. Ndër të tjera është vënë në dukje fakti që në ajër të hapur duhet maska dhe në lokale të mbyllura personat mund të qëndrojnë pa maskë.
Rama tha se personalisht ai ka probleme me mbajtjen e maskës edhe për shkak të një astme të vjetër, megjithatë pranoi se vendi rrezikon mbylljen.
“Personalisht maskën e kam tmerr. Kam edhe problemin që kam atë astmën e vjetër që nëse nuk kam fyrmëmarrje të vazhdueshme kam shqetësime”, u shpreh Kryeministri.
I pyetur nga gazetari Lorenc Vangjeli nëse rrezikojmë mbylljen, Rama u përgjigj: “Sigurisht. Duhet të mbajmë maskën kudo, duhet të respektojmë distancën, të mos bëjmë dasma, të mos mblidhemi për të protestuar për muzikë, të lajmë duart sa më shpesh dhe të japi secili kontributin e vet”./Opinion.al