Duke nisur nga dita e nesërme qytetarët në Shqipëri janë të detyruar që të mbajnë maskën në çdo ambient në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e pandemisë COVID-19.
Më herët, mjekë dhe studiues në të gjithë botën deklaruan se maska duhet të mbahet vetëm në ambientet e mbyllura apo në kohën kur kemi kontakte të afërta me persona të tjerë.
Por, javët e fundit shumë shtete e kanë bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës në çdo ambient. Ndërkohë, mjeku Pëllumb Pipero, gjatë një interviste televizive, ka sqaruar deklaratën e tij se maska nuk duhet mbajtur në ambientet jashtë. Pipero tha se maska duhet të mbahet në çdo ambient, pasi nuk mund të ndalojmë kontaktin me personat e tjerë.
“Në këtë pandemi shumë nga ne, për arsye të njohurive të shtuara dhe të kufizuara si fillim, kanë ndryshuar mendim, por qëndrimi im është dhe do mbetet i njëjtë. Përdorimi i maskave apo masave të tjera që kufizojnë përhapjen e virusit është i mirëpritur. Jam i pari që kam deklaruar se maska duhet të jetë ligjërim detyror, dhe po atë ditë kam thënë jam kundër mbajtjes së saj në mjedise të hapura. Nga sot po dal kundër vetes, dhe them se duhet dhe në mjedise të hapura sepse mbron dhe shton refleksin e mbajtjes”, tha Pipero./ Opinion.al