Pas rritjes së numrit të rasteve të reja me COVID-19, Franca ka vendosur të rikthejë gjendjen e emergjencës shëndetësore. Dekreti për shpalljen e emergjencës do të miratohet nga këshilli i ministrave.
Në Paris, gjendja e emergjencës u vendos në pikun e pandemisë, pranverën e kaluar dhe kur ajo skadoi më 9 korrik, nuk u zgjat më tej.
Ky vendim tashmë i jep mundësinë qeverisë të vendosë masa urgjente për të parandaluar përhapjen e pandemisë, duke përfshirë këtu dhe lëvizjen e qytetarëve.
Pas shpalljes së gjendjes së emergjencës, Presidenti Emmanuel Macron ka njoftuar këtë mbrëmje se njerëzit do duhet të qëndrojnë brenda shtëpive nga ora 21:00 deri në orën 06:00.
Izolimi brenda këtij orari do të zbatohet në Paris dhe tetë qytete të tjera, në mënyrë që të kontrollohet përhapja e shpejtë e virusit të rëndë.
Në një intervistë televizive, Presidenti Macron njoftoi gjithashtu se duke filluar nga e shtuna Policia e Shtetit do të jetë në gatishmëri, gjë e cila do të vijojë për të paktën katër javë.