Nga Asambleja e Partisë Socialiste ku mori fjalën në hapje të saj, kryetari i kësaj force politike Edi Rama u kujdes të listojë ato që i konsideroi fakte të arritjeve të mandatit të tij të dytë. Më tej Rama foli edhe për përgatitjen dhe prioritetet e socialistëve për mandatin e tretë.
Duke folur për krahë që do të kishte në këtë mandat, kryesocialisti përmendi rritjen e rrogave që sipas tij do të prekin edhe sektorin privat si dhe planin Europian, që sipas Ramës shkon me planin e mandatit të tij të tretë.
“Pse ne do ta bëjmë Shqipërinë të vrapojë? Faktet thonë që ne kemi 2 krahë, kemi krahun e fuqisë sonë të brendshme që është më e madhe se sa ishte, pavarësisht ca predikojnë kalandrat e klubeve të natës, dhe kemi sot para nesh një sërë motorësh të rinj për të nxitur ekonominë.
Kemi dhe një krah tjetër që është plani i ri evropian i cili bazohet tek ai që ka qenë vizioni që për fatin tim dhe për nderim tim, vizioni i Shengenit rajonal. Ka qenë ai vizioni i shengenit rajonal që ka avancuar me vështirësi vit pas vit që është bërë baza e planit masiv Evropian pas ndryshimit të Komisionit Evropian dhe ka qenë edhe këmbëngulja jonë, (e Shqipërisë dhe vendeve të tjera) për të insistuar që integrimi Evropian mund të marri kohë, por rajoni nuk mund të lihet në mëshirën e asaj kohe, por rajoni duhet mbështetur. Dhe ja ku jemi sot. Komisioneri Europian erdhi dhe tha gjënë më të madhe për Shqipërinë dhe rajonin: Një plan prej 9 miliardë euro grante për vendet e rajonit dhe 20 miliardë të tjera kredi të granatuara, nga 1 miliardë në 9 miliardë. 3 shtyllat që ka plani, shkojnë me mandatin tonë të tretë: Infrastruktura- transporti, burimet natyrore dhe dixhitalizimi”, u shpreh Rama./Opinion.al