Presidenti Donald Tramp dhe rivali i tij demokrat, ish-zëvendëspresidenti Xho Bajden u përballën në një debat të ndezur të martën, që u karakterizua nga sulme të ndërsjellta, shpesh me ndërprerje fjale e në disa raste me ofeza direkte. Dy pretendentët në zgjedhjet presidenciale amerikane u angazhuan në shkëmbime me tone luftarake në debatin e tyre të parë presidencial.
Debati u zhvillua në sallën “Sheila and Eric Samson” në mjediset e universitetit “Case Western” në qytetin Klivland të Ohajos, ndërkohë që mbeten pesë javë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Debati u drejtua nga gazetari i kanalit “Fox News”, Kris Uollas. Këtë radhë, siç ka ndodhur që nga viti 1988, debati po sponsorizohet nga Komisioni i Debateve Presidenciale.
Pak sekonda pas fillimit të debatit, Presidenti Tramp ndërpreu rivalin Xho Bajden, gjë që u përsërit shpesh gjatë natës, ndërsa ish-zëvendëspresidenti Bajden reagonte shpesh me irritim nga ndërprerjet.
COVID-19
“Presidenti nuk ka plan,” tha zoti Bajden, duke folur për reagimin e administratës ndaj pandemisë. “Ai e dinte se ishte sëmundje vdekjeprurëse dhe nuk ju informoi ju (popullin amerikan)”.
Presidenti Donald Tramp tha se tubimet e tij për fushatë nuk kanë pasur ndikim negativ tek pjesëmarrësit që nuk ndjekin rekomandimet për distancim fizik.
Ai u shpreh se nuk është kundër maskës, duke nxjerrë një maskë nga xhepi dhe duke thënë “Unë vë maskë kur është e nevojshme”.
Por ai shtoi se në aktivitetet e tij vijnë “35 mijë deri në 40 mijë pjesëmarrës,” duke shtuar se rivali i tij Xho Bajden zhvillon aktivitete të papërfillshme “ku i vijnë vetëm tre vetë”.
Zoti Bajden ka zhvilluar aktivitete më të vogla fushate, ku njerëzit qëndrojnë në distancë fizike nga njeri-tjetri. Duke e cilësuar presidentin “plotësisht të papërgjegjshëm” në ragimin ndaj COVID-19, zoti Bajden tha se presidenti “është budalla në këtë temë” dhe shtoi se zoti Tramp mendonte për maskë vetëm kur ishte për interes të tij dhe jo të tjerëve.
Gjatë diskutimit lidhur me temën e vendit bosh në Gjykatën e Lartë, debati devijoi tek COVID-19 dhe presidenti tha, pa ofruar prova, se 2 milionë njerëz do të kishin vdekur nëse Xho Bajden do të kishte qenë president gjatë pandemisë.
Drejtuesi i debatit, gazetari Kris Uollas iu lut disa herë Presidentit Tramp të ndalte komentet për COVID, meqë ajo temë do të diskutohej më pas. Ai e pyeti presidentin nëse do të zëvendësonte planin për kujdes shëndetësor të miratuar gjatë administratës Obama.
Presidenti tha “Së pari, më duket se debatin po e zhvillojmë ne të dy, dhe jo unë e Xho Bajden. S’ka problem. Nuk më vjen çudi”.
Zoti Bajden shpesh qeshte nën buzë gjatë komenteve të presidentit, por në disa raste dukej qartë i irrituar.
“Fakti është se çdo gjë që thotë ai (presidenti) është thjeshtë gënjeshtër. Nuk kam ardhur këtu për t’u marrë me gënjeshtrat e tij. Të gjithë e dinë se është gënjeshtar”.
Gjatë një tjetër momenti kur presidenti po ndërhynte, zoti Bajden pyeti “Ia ka njeri idenë se çfarë po bën ky palaço?”
Trazirat Sociale/ Grupet Ekstremiste
Gjatë diskutimit të trazirave të fundit sociale, i pyetur nga drejtuesi i debatit, Kris Uollas nëse do të dënonte supremacistët e bardhë dhe grupet e tjera ekstremiste, presidenti nuk dha një përgjigje të qartë:
“Do të thoja se thuajse të gjitha problemet që shoh janë shkaktuar nga e majta, jo nga e djathta,” u përgjigj presidenti. “Jam gati të bëj çdo gjë. Dua të shoh paqe”.
Pas ngulmimit të gazetarit Uollas, zoti Tramp tha “Si doni ju që t’i quaj. Ma thuaj, më jep një term”.
Më në fund, presidenti tha “Përmbahuni, qëndroni gati “Proud Boys”. Në fakt, duhet të bëjmë diçka në përgjigje të Antifa-s sepse ky nuk është problem i së djathtës, por i së majtës”.
“Proud Boys” është një organizatë e ekstremit të djathtë, ndërsa Antifa është grupim që përfaqëson grupe e individë të kahut të majtë.
Pasuesit e Antifa-s kanë marrë pjesë në protesta me thirrjet kundër racizmit, por nuk ka prova të konsiderueshme që mbështesin pretendimet e republikanëve se anëtarët e Antifa-s kanë qenë pas akteve të dhunshme në protesta.
Vota Afrikano-Amerikane
Dy konkurrentët u përpoqën gjatë debatit të tërheqin votën e komunitetit afrikano-amerikan. Zoti Bajden ngriti pyetjen me një ton ironik: “Ky burrë është shpëtimtari i afrikano-amerikanëve? Ai nuk ka bërë praktikisht asgjë”. Ish-zëvendëspresidenti demokrat tha se 1 ndër 1000 afrikano-amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi dhe nëse presidenti nuk vepron menjëherë, shifra do të rritet në 1 ndër 1500.
Presidenti e zhvendosi diskutimin nga COVID-19, tek ligji kundër krimit i miratuar në 1994, në të cilin zoti Bajden ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë, i cili forconte ndëshkimet për persona që kapeshin me drogë.
Presidenti tha “Unë po i nxjerr njerëzit nga burgu,” duke shtuar se zoti Bajden i kishte trajtuar afrikano-amerikanët “më keq se kushdo tjetër në këtë vend”.
Në Shenjestër Anëtarët e Familjes
Presidenti Donald Tramp dhe ish-zëvendëspresidenti Xho Bajden nuk kursyen as sulmet që shënjestronin persona të familjes.
Kur zoti Bajden po thoshte se marrëveshjet tregtare të administratës Tramp me Kinën nuk kishin dhënë rezultatet e dëshiruara, presidenti i preu fjalën duke përmendur pretendimet e ngritura më parë ndaj djalit të rivalit të tij, Hunter Bajden dhe kontratave të tij me kompani të huaja.
Presidenti tha se Hunter Bajden ka fituar miliona në mënyra të pandershme nga Kina dhe kompani të huaja, duke rigjallëruar akuza që janë diskredituar. “Nuk është e vërtetë,” tha zoti Bajden, duke shtuar “Mund të vazhdojmë gjithë natës me gjërat që ka bërë familja e tij”.
Presidenti e ndërpreu duke u përgjgijur se fëmijët e tij kishin lënë punë me fitime të mëdha për të shërbyer në qeveri “që të ndihmojnë popullin” gjë që u pasua nga ndërhyrja e gazetarit që u përpoq të kontrollonte shkëmbimet pa kriter gjatë debatit.
Zoti Bajden iu drejtua kamerave me një koment direkt për votuesit, gjë që e bëri disa herë gjatë debatit, duke u shprehur “Këtu nuk bëhet fjalë për familjen time apo të tij (të presidentit). Por për familjet tuaja”.
Taksat e Presidentit Tramp
Presidenti Donald Tramp nuk pranoi të thoshte nëse do të bënte publike dokumentet fiskale, siç pat premtuar.
Gjatë debatit, presidenti u pyet lidhur me një artikull kohët e fundit nga “The New York Times” se ai ka paguar vetëm 750 dollarë taksa për të ardhurat vitet e fundit. Megjithë premtimet, presidenti nuk dha një datë specifike për datën e publikimit.
Rivali demokrat e sulmoi presidentin, duke thënë se ka shfrytëzuar kodin fiskal për të paguar taksa më pak se një mësues shkolle. Presidenti tha se të gjithë binzesmenët e bëjnë një gjë të tillë, “veçse nëse janë budallenj”.
Kontrasti në Stilin e Debatit
Debati bëri të qartë edhe stilet shumë të ndryshme mes dy rivalëve: Presidenti Tramp me një stil agresiv, duke e ndërprerë zotin Bajden, gjë që u pasua shpesh me komente dhe kritika nga gazetari Chris Uollas për thyerjen e protokollit të debatit.
Zoti Bajden ndoqi një stil më komunikues me shikuesin, duke iu drejtuar kameras disa herë me fjalët “ju që na ndiqni nga shtëpia” me komente për votuesit amerikanë.
Toni i debatit, me ndërprerje, me komente të bëra njëkohësisht nga të dy kandidatët, shpesh duke e bërë të pamundur të kuptohej argumenti i njërit apo tjetrit, bënë që të ngrihej supozimi që ishte e pamundur të bëhet një debat pasues. Por duket se të dyja kampet rivale janë të gatshme për një debat të dytë presidencial./ VOA