Është hedhur një tjetër hap nga futbolli dhe instancat shtetërore për zgjidhjen e bojkotit të kampionatit.
Liga Profesioniste, pas kërkesës së deputetit Fidel Ylli, ka paraqitur me shkrim argumentet e saj për plotësimin e katër kërkesave, të cilat i janë dorëzuar kryeministrit Rama prej datës 10 gusht.
Informacioni i plot, i hartuar me ndihmën e ekspertëve i është dorëzuar deputetit të Kuvendit, i cili është edhe negociatori i përzgjedhur nga qeveria, që raportin tashmë do t’ia paraqesë ekspertëve të Ministrisë së Financave.
Liga Profesioniste njoftoi se “materiali i paraqitur fokusohet te krijimi i një ligji për sponsorizimet, si një akt i domosdoshëm për zhvillimin e sportit në Shqipëri, mbi bazën e standardeve dhe praktikave europiane”.
Ndër të tjera në dokumentin e paraqitur, drejtuesit e klubeve të Kategorisë Superiore, besojnë se propozimet e Ligës mbështesin qartësisht idetë dhe rrugëzgjidhjet për ti dhënë një hov cilësor administrimit, formalizimit e zhvillimit të sporteve në vend dhe jo vetëm futbollit.