Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë të zgjidhë çështjen e bojkotit të Superligës së futbollit.
Në një postim në Facebook, presidenti shkruan se kriza po përshkallëzohet në përmasa shqetësuese.
Ai i cilëson të drejta kërkesat e Ligës Profesioniste të Futbollit dhe i bën thirrje qeverisë që përmes dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të angazhohet për t’i rikthyer frymëmarrjen futbollit shqiptar.
“Kriza e thellë kushtetuese, institucionale dhe përfaqësuese po përshkallëzohet në përmasa shqetësuese në të gjithë sektorët. Futbolli shqiptar, krenaria jonë kombëtare, prej javësh ndodhet në një ngërç, për shkak të vendimit për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, sezoni 2020 / 2021, që duket se do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar në mungesë të vullnetit për gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme. I njohur me kërkesat e drejta të Ligës Profesioniste të Futbollit, i bëj thirrje qeverisë që përmes dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të angazhohet për t’i rikthyer frymëmarrjen futbollit shqiptar, që ka kohë që ndodhet në vështirësi dhe sot kërkon vëmendje e mbështetje nëpërmjet një baze të sigurt ligjor.”, shkruan presidenti Meta.
Liga Profesioniste në bashkëpunim me presidentët e klubeve të Superiores si dhe FSHF-në, morën vendimin të bojkotojnë kampionatin për shkak të krizës së thellë financiare, teksa kërkojnë ndihmë nga qeveria për plotësimin e 4 pikave.
Kërkesat e tyre për qeverinë janë:
Të ulet TVSH në masën 6%, të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura, Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite si dhe të miratohet “Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve” pasi sipas tyre ligji aktual është “mashtrim”. /Opinion.al