Ndërsa shifrat e infektimeve Covid në Shqipëri prej disa javësh qëndrojnë të larta, Ministria e Shëndetësisë ka kujtuar edhe një herë rëndësinë e përdorimit të maskave në ambjente të mbyllura, si në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh.
“Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve”, njoftoi ministria.
Ndërkohë edhe numri i pacientëve që po marrin trajtim në spital ka shënuar rritje krahasuar me një ditë më parë.
“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 185 pacientë, 15 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar”, njoftoi ministria ndërkohë që një ditë më parë raportoheshin në spital 178 pacientë.
Sipas buletinit zyrtar, mësohet se në 24 orët e fundit janë regjistruar 159 raste të reja dhe janë kryer 844 testime./Opinion.al