Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar me 15 vite burg Domart Konjarin duke e shpallur fajtor për veprat penale ‘trafik droge’, ‘pjesëmarrje në organizatë kriminale’, ‘pastrim parash’, ‘falsifikim dokumentesh’ dhe ‘tentativë për të korruptuar policinë’.
Domart Konjari është gjykuar në mungesë. Ai u arrestua në nëntor të vitit 2015, për llogari të autoriteteve franceze.
Mirëpo, pesë muaj më vonë, Apeli i Krimeve të Rënda zbuti masën e sigurimit ndaj Konjarit, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”.
Kjo bëri që Konjari të arratisej dhe të jetë ende në kërkim. Në dosjen që gjykata ka marrë nga autoritetet franceze, renditen me detaje të gjitha veprimtaritë e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani.
Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës, pasi mendohet se ka lidhje direkte me burimin e prodhimit të saj në Amerikën e Jugut. Si pasojë e këtij rrjeti, influencës në treg dhe shpërndarjes së drogës në Europë, hetuesit francezë thonë se kanë ndodhur edhe disa vrasje, ku në dy raste, 42-vjeçari Konjari u ka shpëtuar atentateve me armë.
Në dosje, emri i Konjarit përmendet si i përfshirë direkt ose indirekt në disa vrasje për trafikun e drogës. Aty përmendet vrasja e 29 gushtit të vitit 1998, kur është ekzekutuar Gentian Dervishi, i njohur ndryshe me nofkën “Gent Kadaifi”.
Vrasja ndodhi pranë “Shkollës së Kuqe”, në Tiranë. Më pas, emri i Konjarit del në vrasjen e ndodhur në vitin 2003, në qytetin Rene të Francës, ku u vra Erion Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës. Lista e atentateve ku dyshohet se ishte përfshirë Konjari, vijon me ngjarjen e 3 gushtit të vitit 2005 në Tiranë, ku u ekzekutua Fatjon Naxhaku./ Opinion.al