Zëvendës Kryeministri i Kosovës Driton Selmanaj gjatë një interviste në emisionin Opinion ka treguar se çështja e mini- shengenit e firmosur në marrëveshjen e Uashingtonit, ka qenë propozim i presidentit Trump.
Duke folur për detaje të takimit në Shtëpinë e Bardhë ku ishte pjesë e delegacionit, Selmanaj tha se pala shqiptare ka patur hezitim për dy pika të marrëveshjes, që ishte përfshirja në zonën e mini-shengenit dhe moratoriumi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, nëse pala kosovare kishte informacion më përpara për marrëveshjen, Selamanaj tha:
“Kishim informata se cilat tema do të shtroheshin aty, por kishim informata të mjaftueshme për të kuptuar qasjen e gjërave që do të ndodhnin aty. Edhe përgatitja jonë por edhe kontaktet që kishim me administratrën ishin që do të kishim një marrëveshje ekonomike”, tha Selmanaj duke bërë të ditur se megjithatë ata nuk kishin një draft paraprak.
“ Pasi është futur Kryeministri në Shtëpinë e Bardhë ka nisur të qartësohet gjithçka. Na është thënë që do të preznatojmë projekte zhvillimore ekonomike, në infrastrukturë dhe që lidhen me rexhionin”, tha Selmanaj. I pyetur nëse ka patur tensione me palën serbe, Zv.Kryeministri kosovar tha: “Nuk ka pas tensione, ajo çfarë nuk i pëlqen delegacionit të Serbisë është angazhimi për njohjen. Dhe sa herë zoti Hoti ngrinte këtë çështje kishte shfaqje aktrimi, shenja nervozizmi dhe skuqeje nga ana e zotit Vuçiç”, tha Selmanaj.
Ndërkohë, i pyetur nëse ka patur hezitim apo ndonjë pikë që është hequr nga pala kosovare, Selmanaj tha: “Kanë qenë 2 çështje, ka qenë zona minishegen për shkak të qëndrimit të kahershëm të LDK-së ku unë bëj pjesë, kundër këtij projekti. Çështja e mini-shengenit ishtë kërkesë e presidentit Trump. Pika e dytë ishte moratoriumi i Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkonbëtare për 1 vit. Por është kërkuar që meqë Serbia heq dorë nga procesi i çnjohjeve kundër Koosvës, ne të heqim dorë nga këto procese. Kemi diskutuar edhe lidhur me çështjet e Ujmanit, por kemi patur garanci që Departamenti i Shtetit për ernegjinë, do të bëjë një studim fizibiliteti për shfrytëzimin e ujrave të tij”./Opinion.al